Me 47 vjet e gjysmë burgim janë dënuar katër persona për vrasjen e kryer para tetë vjetëve në rajonin e Pejës. B.R., Gj.P., A.S. dhe M.S. janë dënuar për veprat vrasje e rëndë, ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë dhe shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, i pandehuri B.R. në maj të vitit 2012 për t’iu hakmarrë F.Gj. (viktima) për shkak të një përleshjeje të mëhershme, kishte shtyrë të pandehurin Gj.P. që bashkë me të pandehurit tjerë A dhe M.S. të vritnin viktimën, duke iu premtuar deri 150 mijë franga zvicerane nëse vrasja kryhet pa vonesë.
Vrasja është kryer më 23 qershor të vitit 2014. Kryerësve të vrasjes, sipas aktgjykimit, B.R. ua ka dhënë 100 mijë franga si shpërblim.
Vrasja ishte kryer me armë automatike.
Të pandehurit ishin arrestuar në mars të 2017-s.
B.R. u dënua me 14 vjet e gjysmë burgim. Në të i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Gj.P. u dënua me gjashtë vjet burgim, e të cilin dënim tashmë e ka vuajtur. A.S. është dënuar me tetë vjet e gjysmë burgim. M.S. është dënuar me 18 vjet e gjysmë burgim.