Sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të ballafaqohet me probleme të mëdha. Një nga problemet shqetësuese është edhe ikja e profesionistëve shëndetësorë nga Kosova për të kërkuar punë në vende të ndryshme të botës.
Është raportuar që vetëm për një muaj janë larguar mbi 20 mjekë.
Vetëm në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv këtë vit vendin e punës e kanë lënë 5 anesteziolog derisa 7 specializantë kanë dalë jashtë shtetit.
Këtë e ka bërë të ditur për Front Online, drejtori i kësaj klinike, Gazmend Spahija.
Sipas tij, në Klinikën e Anesteziologjisë janë 51 anesteziologë të punësuar.
“Në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv momentalisht janë të punësuar 51 anesteziologë. Këtë vit e kanë lëshuar punën pesë anesteziologë ndërsa një ka ndërruar jetë dhe dy anesteziolog pritën të pensionohen këtë vit, njëri në shtator e tjetri në fund të vitit. Ndërsa, shtatë specializantë kanë dalë jashtë shtetit dhe vetëm njëri është specialist”, potencoi Spahija.
Drejtori i kësaj klinike është shprehur se mungesa e anesteziologëve në këtë klinikë është evidente, pasi ka angazhime në shumë njësi punuese.
Ai ka treguar se cilat janë arsyet që çojnë mjekët deri në largimin e punës.
“Oferta më e mirë e pagës disa herë( deri në shtatë herë) në sektorin privat se sa në QKUK dhe volume më i vogël i punës shtyhen anesteziologët ta lëshojnë punën. Anesteziologët-specialistët kryesisht largohen për në sektorin privat në Kosovë. Mungesa e anesteziologëve është evidente pasi që duhet të angazhohemi në 40 njësi punuese dhe duke menaxhuar tri njësi intensive dhe në pesë njësi ku kryhen rastet emergjente”, u shpreh Spahija.
Ani pse ka mungesë të anesteziologëve në këtë klinikë, edhe të pa punë nuk ka.
Nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës për Front Online kanë thënë se mjekë të specializuar për anesteziologji nuk ka në vend të pa punësuar.
“Aktualisht nuk ka anesteziolog të pa punë, të gjitha ata që kanë kryer specializimin, janë punësuar”, thuhet në përgjigjën e SHSKUK-së për Front Online.
Vetëm gjatë katër vjetëve të fundit mbi 400 mjekë të Kosovës kanë lënë vendin për të punuar në shtetet e Evropës.
E profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.