5 vjet burgim ndaj të akuzuarit për krime lufte në ’98-ën në Bellopojë të Pejës

Prishtinë | 08 Sht 2022 | 13:32 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me pesë vite burgim të akuzuarin Svetomir Baceviç, i ngarkuar për krime lufte në vitin 1998 në Bellopojë të Pejës.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Baceviç, u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari shpallet fajtor për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, andaj i njëjti dënohet me burgim në kohëzgjatje prej pesë vitesh.

Në këtë dënim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

I akuzuari Baceviç obligohet të paguajë edhe paushallin gjyqësor në shumën prej 30 euro dhe 50 euro në emër të fondit për viktimat e krimit.

Me aktvendim të veçantë, të akuzurit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në marrjen e vendimit tjetër.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të ngritur më 9 nëntor 2021, thuhet se Svetomir Baceviç gjatë periudhës kohore në mes të muajve korrik-gusht të vitit 1998, në fshatin Bellopojë, Komuna e Pejës, gjatë një konflikti me karakter jo-ndërkombëtar të zhvilluar në mes të pjesëtareve të UÇK-së dhe forcave ushtarake të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe forcave policore të Serbisë, me dashje i shkel rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare Kundër Personave Civil.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore relevante për këtë aktakuzë, Baceviç merr peng të dëmtuarën Tigjë Kadrija, në atë mënyrë që ditën e incidentit, i armatosur shkon në shtëpinë e fqinjëve të tij – të dëmtuarve Rexhep dhe Tigjë Kadrija, që të dy të moshës rreth 60 vjeçare, me të cilin rast fillimisht gjuan me armë automatike në drejtim të kulmit dhe dritareve të shtëpisë, pastaj me forcë hyn në shtëpi dhe i dëmton gjësendet e shtëpisë me pretekstin se po kontrollonte për njerëz të tjerë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Baceviç nën tytën e armës i nxjerr në oborr të dëmtuarit dhe i keqtrajton fizikisht dhe psiqikisht, duke i urdhëruar që të ulen dhe ngritën në këmbë disa herë dhe në atë moment, nën kërcënimin e armës e rrëmben të dëmtuarën Tigjë dhe e nxjerr në rrugë, kurse të dëmtuarit Rexhep i thotë se po e dërgonte gruan e tij në shtab të ushtrisë dhe policisë serbe.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Baceviç e paralajmëron të dëmtuarin Rexhep se mund ta merrte të dëmtuarën Tigjë vetëm pasi t’i sjell pjesëtarët e UÇK-së dhe kështu, nën kanosjen e armës, duke ia vënë në shpinë tytën e armës, e detyron të dëmtuarën Tigjë që të niset nga shtëpia dhe të ecë përgjatë rrugës së fshatit, në kohë nate dhe kohë lufte, në një zonë jo shumë të banuar dhe pa ndriçim.

Tutje, sipas aktakuzës, Baceviç e dërgon të dëmtuarën Tigjë tek qendra e fshatit, ku ndalet tek shitorja dhe në prezencë të shumë personave të tjerë e mbështet për muri kurse vet me armë në dorë i rri përballë në distancë shumë të afërt, me qëllim të poshtërimit në prezencën e shumë personave të tjerë që gjendeshin tek shitorja.

Në aktakuzë thuhet se në ato momente arrin fqinji i të dëmtuarës, dëshmitari Momçilo Saviç, i cili përleshet me të pandehurin duke e goditur me grusht, me të cilin rast arrin ta shpëtoj të dëmtuarën dhe ta kthejë në shtëpinë e saj, kurse të nesërmen i merr te dy të dëmtuarit dhe në fshehtësi nga ushtria dhe policia serbe, i largon nga fshati Bellopojë, duke u krijuar mundësinë që të shkojnë në qytetin e Pejës.

Më këtë, Baceviç ngarkohej se ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i ndëshkueshëm sipas veprës penale “Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme