Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Ferizajt ka shpërndarë sot farë të misrit për rreth 500 fermerë të komunës.
Drejtori për Bujqësi dhe Pylltari, Burim Bajrami, u shpreh se planifikimi për shpërndarjen e farës së misrit është bërë qysh nga viti i kaluar dhe ka qenë e pamundur që të përfshihen të gjithë fermerët ferizajas.
“Kanë qenë 20 mijë euro të ndara për kulturën e misrit që nga viti i kaluar, ndërsa sot ne po bëjmë shpërndarjen e farës së misrit. Planifikimi i vitit të kaluar ka qenë që të investohet në 400 hektarë tokë me misër, edhe pse kërkesat kanë qenë të jashtëzakonshme”.
“Ndërsa ne kemi bërë të mundur që me këtë të investohet në rreth 1 mijë hektarë tokë. Unë i kuptoj bujqit për këtë sasi të vogël, por konsideroj së viteve të ardhshme do të jemi më serioz dhe në bazë të sipërfaqeve të kërkuara ne do të bëjmë planifikimin për fermerët ferizajas”, shtoi drejtori Bajrami.
Disa nga fermerët u shprehën mirënjohës ndaj Komunës së Ferizajt, duke e vlerësuar këtë si një ndihmesë mjaft të madhe për ta.
Drejtoria e Bujqësisë bën të ditur se ditëve në vijim do të bëjë shpërndarjen edhe të fidanëve të arrës dhe të serrave familjare.