MF certifikon 52 auditorë të brendshëm

Prishtinë | 28 Dhj 2016 | 10:56 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Financave ka organizuar ceremoninë e certifikimit të auditorëve të brendshëm të sektorit publik.

Ministri Avdullah Hoti ua ka shpërndarë certifikatat 52 auditorëve të cilët kanë përfunduar me sukses procesin e certifikimit në programin kombëtar. Gjithashtu, me certifikata do të pajisen sot edhe 5 auditorë të brendshëm të certifikuar në programin ndërkombëtar të auditimit nga CIPFA e Britanisë së Madhe.

Me këtë rast, ministri Hoti ka përgëzuar kandidatët për rezultatin e arritur gatë këtij trajnimi, duke shpresuar që të bëhen pjesë e institucioneve publike.

“Besoj që ky hap që po shënohet sot do të kontribuojë në përmbushjen e standardeve për ne si qeveri. I uroj të gjithë për kryerjen e trajnimit me sukses”, ka thënë Hoti.

“Fokusi është që ne të rrisim transparencën, performancën dhe llogaridhënien në shfrytëzimin e parasë publike, dhe besoj se ju në fakt jeni ata agjentë që do të jeni në shërbim të arritjes së kësaj objektive”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Njësisë Qendrore Harmonizuese në Ministrinë e Financave, Kosum Aliu, tha se në këtë program janë përfshi gjithsej 160 pjesëmarrës, por me sukses kanë arritur që të certifikohen 52 auditorë të brendshëm, prej të cilëve 25 janë auditorë që punojnë në institucionet e nivelit qendror dhe lokal, dy nga Banka Qendrore e Kosovës, 6 nga Zyra Kombëtare dhe 19 që aktualisht nuk punojnë në institucionet e Kosovës.

“Listës së auditorëve të brendshëm të certifikuar i shtohen edhe 57 auditorë të rinj. Tani Kosova ka 125 Auditorë të brendshëm të certifikuar, prej tyre 106 punojnë si auditorë të brendshëm në institucione qeveritare, ndërsa 19 të tjerë janë jashtë institucioneve”, tha Aliu.

Ndërsa, nënkryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës, Ali Sadriu, tha se ky trajnim brenda vendi kursen mjetet publike, pasi që, sipas tij, miliona euro shkojnë jashtë vendi në shërbim të auditimit.

“Kemi e dhjetëra milionë që shkojnë jashtë Kosovës në shërbim të Auditimit. Kemi njerëz tanë të shkathët dhe të aftë, këtë e kemi vërejtur në Zyrën e Auditimit kur kanë filluar dhe e di sot se ku është niveli i tyre”, u shpreh Sadriu.

Trajnimi për certifikim të auditorëve të brendshëm të sektorit publik ka filluar para tre muajve, i cili u organizua nga Ministria e Financave – Njësia Qendrore Harmonizuese në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Administratë Publike, në kuadër të Programit kombëtar për trajnimin dhe certifikimin e auditorëve të brendshëm në sektorin publik, program ky i cili është akredituar ditë më parë nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

mf_04 mf_03 mf_01

Të ngjashme