“Njeriu është produkt i mendimeve të tij, çfarë mendon për veten, ai ashtu do të bëhet”, Mahatma Gandhi
Sot jam stresuar shumë në punë. Stresohem kur më kërkojnë të bëj një projekt pune që nuk është pjesë e detyrave mia. Më stresojnë thashethemet e punës. Më streson kolegu kur komunikon pasi flet shpejt dhe nuk dëgjon. A e keni kapur veten duke ju kaluar në mendje një nga këto mendime apo duke ju ankuar dikujt? Stresi ju shpërqëndron, ul energjinë dhe lëkund vetëbesimin tuaj. Shpesh nën zë i ankoheni kolegëve të punës ndërsa shefi shpesh nuk e pranon apo dhe e mohon egzistencën e tij.
Çfarë është stresi?
Stresi është reagimi i trupit ndaj çdo ndryshimi, i cili kërkon një rregullim ose përgjigje. Trupi reagon ndaj këtyre ndryshimeve me përgjigje fizike, mendore dhe emocionale. Stresi është pjesë normale e jetës. Edhe ngjarjet pozitive të jetës siç janë, blerja e shtëpisë, lindja e fëmijës apo ngritja në detyrë tuaj prodhojnë stres pozitiv, i cili quhet eustres. Eustresi na motivon ndërsa distresi na çorienton. Është e rëndësishme të dimë se stresi negativ në punë mund të shkaktohet prej faktorëve të ndryshëm si: frika se do të pushoheni nga puna; puna jashtë orarit; reduktim i buxhetit; presion i vazhdueshëm për të dhënë maksimumin në punë etj.
Studime të shumta tregojnë se nivelet e larta të stresit shkaktojnë simptoma fizike si dhimbje koke, irritim stomaku, presion të lartë të gjakut, dhimbje kraharori, dhimbje koke, dhimbje të muskujve, pagjumësi, ulje të dëshirës seksuale, lodhje të tepruar si dhe rritje të konsumit të alkolit apo drogës. Madje mund të ndikojë dhe në uljen e jetëgjatësisë.
Nëse jeni duke lexuar artikullin dhe po mendoni se cili është çelësi për të menaxhuar stresin në punë në mënyrë që të mos bëhet dërrmues, jam këtu për të ardhur në ndihmë duke ju treguar disa metoda se si të lehtësoni stresin në punë. Më e lehtë të thuhet se sa të bëhet, apo jo? Me pak vullnet dhë dëshirë mund të arrihen gjëra mëdha. Reduktimi i stresit mund të jetë një nga këto gjëra. Çfarëdo presioni apo kërkese të keni nga puna juaj, ndiqni këto hapa për të mbrojtur veten nga efektet e dëmshme të stresit, për të përmirësuar kënaqësinë tuaj në punë dhe për të forcuar mirëqënien si në vendin tuaj të punës apo dhe jashtë saj.
Më poshtë keni gjashtë teknika, të cilat sipas studimeve ndihmojnë në reduktimin e stresit në kohë afatshkurtër dhe afatgjatë.
Teknika e parë. Krijoni një ambjent të përshtatshëm për mirëqënien tuaj.
Jo të gjithë kanë fatin të kenë një zyrë personale, por ka plot gjëra të vogla që mund të bëni për t’u ndjerë më mirë dhe t’i jepni vetes një eksperiencë pozitive dhe më të shëndetshme në punën tuaj. Disa elementë të thjeshtë për ta bërë të mundur këtë janë: Gjelbërimi në tavolinën tuaj të punës apo ambjentin përreth duke vendosur një apo disa vazo me lule. Mbani gjithmonë afër shishe uji dhe hidratohuni duke konsumuar të paktën 1.5 litër ujë në ditë. Dritë natyrale nga dritarja, vendosni në tavolinë diçka që mban erë të mirë si qirinj aromatikë apo lule të thara aromatike. Dëgjoni muzikë klasike për të punuar apo studiuar.
Teknika e dytë: Organizohuni dhe vendosni prioritete
Nuk lodhem duke e thënë këtë por duhet te vendosni afate në kryerjen e punës. Përdorni kalendarin tuaj. Krijoni një listë të gjërave që duhet të bëni dhe ndiqeni me përpikmëri.
Mungesa e organizimit kthehet shpesh në burim stresi. Bëni një listë të detyrave që doni të kryeni dhe vendosni gjithmonë në fillim gjërat më të rëndësishme. Bëni pushime të shkurtra. Nëse nuk e lejoni veten që të shkëputeni për disa momente nga axhenda e ngjeshur, mund ta gjeni veten shumë të stresuar. Duhet të vendosni pritshmëri reale ndaj vetes dhe të tjerëve. Nuk mund të mbaroni punën e tre ditëve brenda një dite edhe sikur të maksimumin tuaj. Provoni të mos i lini punët në minutën e fundit. Bëni pak pushim disa herë në ditë duke bërë diçka që ju pëlqen. Relaksohuni.
Teknika e tretë: Krijoni marrëdhënie pozitive me eprorët dhe kolegët
Kërkoni mbështjetje. Telefononi një mik apo koleg. Dërgojini një mesazh dikujt më të cilin keni dëshirë të komunikoni edhe pse mund të keni kohë pa u takuar. Nëse ndani shqetësimet apo ndjenjat tuaja me dikë tjetër do të ndiheni të lehtësuar. Me rëndësi është që personi me të cilin do të flisni është dikush tek i cili keni besim dhe mund t’ju kuptojë dhe vlerësojë. Nëse familja juaj është burim stresi psh, mund të mos ndiheni të lehtësuar nëse ndani vështirësitë që keni në punë me ta. Praktikoni komunikimin e hapur dhe të sinqertë. Tregoni vlerësim për eprorët, kolegët, punonjësit apo bashkëpunëtorët tuaj. Praktikoni dëgjimin aktiv. Tregohuni pozitiv.
Teknika e katërt: Filloni ushtrimet (ose ushtrohu më shumë)
Bëni ushtrime. Studimet tregojnë se ushtrimet fizike janë të dobishme për trurin duke përmirësuar dukshëm gjendjen tuaj shpirtërore. Bëni të paktën 30 minuta në ditë ecje, vrap ose kërcim etj. Në një kohë kur ndiheni në stres bërja e ushtrimeve do t’ju lehtësojnë menjëherë dhe efekti do të zgjasë me orë të tëra. Ushtrimet e rregullta të aerobisë janë një zvogëlues natyral i stresit pasi ndikojnë në çlirimin e endorfinës në trup dhe rritjen në këtë mënyrë të humorit.
Teknika e pestë: Ushqehu shëndetshëm
Stresi dobëson sistemin imunitar. Hani dhe pini sa më shëndetshëm. Minimizoni marrjen e sasisë së sheqerit dhe të karbohidrateve të rafinuara si dhe ushqimeve që mund të ndikojnë negativisht në gjendjen tuaj shpirtërore, si kafeina, yndyrnat dhe ushqime me nivele të larta të ruajtësve kimikë ose hormoneve. Hani më shumë acide yndyrore Omega-3. Burimet më të mira janë peshku yndyror (salmoni, skumbria, sardelet), fara e lirit dhe arrat. Shmangni nikotinën. Pirja e duhanit kur ndiheni të stresuar mund të duket qetësuese, por nikotina është një stimulues i fuqishëm, që çon në nivele më të larta, jo më të ulëta të ankthit. Shmangni konsumin e alkolit. Alkoli mund të duket sikur po zvogëlon përkohësisht shqetësimet tuaja, por mund të shkaktojë ankth pasi ndikon negativisht në gjendjen tuaj shpirtërore.
Teknika e gjashtë: Flini mjaftueshëm
Stresi ka qenë prej kohësh i lidhur me pagjumësinë. Studiuesit në Harvard kanë zbuluar se të mos flini mjaftueshëm apo jo mirë mund të ndikojë në rritjen e niveleve të stresit. Kjo sepse mungesa e gjumit pengon aftësinë tuaj për të përballuar qoftë dhe sasinë normale të stresit dhe ndikon negativisht në gjendjen shpirtërore. Është vështirë të ulni stresin kur jeni të irrituar nga mungesa e gjumit. Për këtë mundohuni të flini nga gjashtw deri në tetë orë çdo natë. Flini në të njëjtin orar. Shmangni gjumin gjatë fundjavave, mundoheni të çoheni në të njëjtin orar si gjatë javës. Fikni ekranet të paktën 1 orë para se të shkoni në shtrat. Leximi i një libri para se të flini është gjithmonë e rekomandueshme.
Si përfundim mund të themi se kontrolli i niveleve të stresit është gjithmonë në dorën tuaj. Menaxhimi i stresit në punë ka të bëjë me rritjen e produktivitetit dhe ju lejon të keni performancë më të lartë. Për këto arsye duhet të mbahen nën kontroll nivelet e tij. Me nivelin e duhur të stresit mund të arrini potencialin tuaj më të lartë, si dhe do të keni nivele më të larta të kënaqësisë në atë që bëni. Ndiqni këto teknika të thjeshta të cilat padyshim do t’ju ndihmojnë të mbani nën kontroll nivelet e stresit, të ndiheni më mirë, të keni një performancë më mirë në punë, të keni një mirëqënie më të mirë mendore, të krijoni apo ruani marrëdhënie të shëndetshme, të kujdeseni më mirë për trupin tuaj si dhe të qeshni dhe t’i gëzoheni jetës më shumë. (Julinda Hasa/ BM)