49 mijë vota u çuan dëm. Por, nga 30 kuti votimi të rinumëruara, u analizuan vetëm 518 sosh. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë të ditur KTV-së se do të analizohen aspektet e ndryshme të të gjithë procesit zgjedhor.
“Në këtë drejtim, KQZ-ja do të analizojë në detaje edhe aspektin e votave të pavlefshme, të cilat janë evidente edhe në këtë proces zgjedhor. Deri tash, gjatë rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është bërë një analizë preliminare për të parë natyrën e pavlefshmërisë së këtyre fletëvotimeve”, bën të ditur KQZ-ja.
Në 205 raste është shënuar më shumë se një subjekt politik, e në 250 të tjera, votuesit kanë shënjuar vetëm kandidatët, por jo edhe subjektin politik.
Po ashtu, janë shënuar 62 raste kur votuesi me qëllim ka prishur fletëvotimin. Pavarësisht se rreth 40 për qind e votave të pavlefshme llogariten se ishin për 2 parti politike, organizatat që monitoruan zgjedhjet thonë se ato nuk u prishën nga komisionarët, por ka munguar edukimi i votuesve.
Në zgjedhjet e 11 qershorit 728 mijë 87 qytetarë ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, apo 41. 30 për qind e atyre që kishin të drejtë vote.
Sipas listave zgjedhore të KQZ-së, 1 milion e 888 mijë qytetarë ishin mbi 18 vjeç.
Në këto zgjedhje që ende nuk janë certifikuar, asnjëri nga subjektet politike nuk e ka fituar shumicën parlamentare.