613 kg kokainë e shënuar me kode, dyshohen të paktën 20 porositës

Prishtinë | 02 Mar 2018 | 08:18 | Nga

Përveç dy të arrestuarve dhe personit të shpallur në kërkim për ngarkesën rekord të kokainës nga Kolumbia, Policia dhe Prokuroria kanë në hetim edhe dhjetëra persona të tjerë si të përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të drogës.
Në dyshemenë e dyfishtë të kontenierit me banane, të mbërritur për llogari të kompanisë, “Arbri Garden”, u zbuluan 528 pako kokainë, të cilat ishin të shënuara nga sipër me kode të ndryshme. “777”, “KE”, “020”, “CA 17”, janë disa nga kodet e shënjuara sipër mbështjellëses së pakove me lëndë narkotike. Nisur nga këto rrethana, grupi hetimor ka dyshime se droga që mbërriti më 19 shkurt në Portin e Durrësit, ishte porositur nga të paktën 20 persona, që momentalisht po hetohen me metodat speciale nga ana e Antidrogës.

Mjeti, ku u transportua kotenieri me 613 kilogramë kokainë, ka mbetur i bllokuar në hyrje të magazinës së kompanisë “Arbri Garden” pas ndërhyrjes policore. Përveç Policisë, askush nuk ndodhet aty. Dyshohet paraprakisht se kamioni është marrë për përdorim nga kompania “Pelikani Transport”, shoferi i së cilës u arrestua, ashtu edhe menaxheri i kompanisë që kishte porositur 20 tonë me banane në Kolumbi.

Ashtu si drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, edhe kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, nuk bënë publike të dhëna të tjera për hetimet që po kryhen, pasi, sipas tyre, operacioni është në zhvillim dhe mund të dëmtohen hetimet. Kjo do të thotë se janë edhe disa persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Dalin pamjet, si ishte fshehur 180 milion euro kokainë në kontenierin me banane

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga kamioni ku ishte fshehur sasi rekord kokaine në Portin e Durrësit, me vlerë tregu rreth 180 milion euro. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit Doganor, mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizës së riskut, pas një pune të mirë organizuar dhe të koordinuar, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Last Snow”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i një sasie rekord prej 613 kilogramë e 350 gramë lënde narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milion euro. Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018.

Kokaina ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane.

Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç. Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët.

Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.

Nga tërësia e veprimeve të kryera, rezultuan të përfshirë në këtë aktivitet kriminal shtetasit dhe u arrestuan në flagrancë:

– Donaldo Lushaj, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë;

– Armando Pezaku, 25 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A.Ç., pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike.

Autoritetet shqiptare po vijojnë hetimet ngushtësisht me partnerët e huaj për të zbuluar gjithë lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Ndërkohë po vijon puna për evidentimin e pasurive të të arrestuarve dhe të përfshirëve në këtë trafik narkotikësh.

Policia e Shtetit është e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo paligjshmëri dhe aktivitet kriminal, për të ndërtuar një Shqipëri më të qetë e të sigurtë.

613 kg kokainë e shënuar me kode, dyshohen të paktën 20 porositës...

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme