Në nder të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu pikërisht në 621 vjetorin e lindjes së tij, janë zhvilluar homazhe dhe nderime te shtatorja në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka deklaruar se në fakt sot nuk po bëjnë homazhe, por kanë ardhur tek shtatorja e tij për ta respektuar figurën e tij.
“Sot në fakt ne nuk bëjmë homazhe. Ne sot kemi ardhur në ditën e lindjes të princit tonë të figurës madhore shqiptare, që është Gjergj Kastriot Skënderbeu, lindur në një familje të jashtëzakonshme e cila na ka bërë që të jemi më të pasur shpirtërisht nga çdo pikëpamje sepse vlerësimi që i bëjmë kësaj figure është respekt jo vetëm për Gjergj Kastriot Skënderbeun por, respekt edhe për veten tonë. Sepse ky burrë na motivon përditë, imagjino sikur mos të ketë një komb figura të kësaj cilësie, pra është kjo figurë, është figura e Nënë Terezës, është figura e Ismail Qemajlit, janë këto figura që na bëjnë të ndihemi më mirë, të ndihemi më të fortë, të ndihemi bashkë”, ka thënë Malaj.
Ai, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të duhet me vepra e jo me fjalë.
“T’i japim vetes detyrime për të bërë punë të mira për vendin tonë, për Shqipërinë për Kosovën, arbëreshët nga ana tjetër të cilët unë i përgëzoj i kishim sot këtu, e ku ka më bukur se sa në Prishtinë, të mblidhesh nga Shqipëria, nga Kosova, nga arbreshët e Italisë, sinqerisht e fillova ditën sot shumë bukur edhe e paçim gjithmonë këtë figurë, këtu për të na frymëzuar dhe për të na thënë ta duam Shqipërinë jo me fjalë, ta duam Kosovën jo me fjalë, por ta duam me vepra që do të thotë, le të punojmë dhe le të bëjmë më shumë për Shqipërinë për Kosovën”, ka shtuar Malaj.
Kurse, Qendrim Kryeziu ish- kandidat për deputet, derisa ka bërë homazhe tek shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, ka dhënë lajmin se një shtatore e heroit Adem Jashari do të ngritet edhe në një nga sheshet e Romës në Itali.
“Jemi mbledhur sot këtu në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” që të kumtojmë edhe një lajm e cila falë një iniciativë që kemi nisur së bashku me Lorisin dhe miqtë e tyre dhe ajo vetëm ka filluar të marrë jetësimin e saj. Dhe në një nga sheshet e Romës, do ta kemi kryeheroin tonë legjendar Adem Jashari dhe gjithë kjo punë është bërë falë, vëllëzerve tanë arbresh, me Lorisin dhe miqtë të tjerë të cilët i kemi sot këtu prezent. Andaj gjithë kjo punë që është bërë, është bërë falë vëllezërve tanë të cilët kanë 537 vite që janë në Itali dhe sot na nderuan që në një datë të caktuar emblematike. Ne do ta kemi Adem Jasharin në qytetin e Romës, përmendorja e Adem Jasharit ashtu siç e kemi Skënderbeun në çdo vend të Evropës, do të fillojë fillimisht në Romë, pastaj në Kalabri dhe Sicili, në fshatrat arbëreshë pothuajse në të gjitha fshatrat arbëreshe”, ka thënë ai.

