Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit B.D., i cili dyshohet për kryerjen e veprave penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Vendimi është marrë pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Sipas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 1 nëntor 2026, në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Demiraj të Gjilanit.
Në komunikatën e Gjykatës thuhet se B.D., pas një konflikti fizik me djalin e tij, dyshohet se e ka privuar atë nga jeta, ndërsa më herët ishte gjetur pa shenja jete edhe fëmija D.D., me shenja dhune në shtratin e babait të saj, tashmë të ndjerë.
“Ndërsa më parë edhe fëmija D.D., është gjetur e pa jetë dhe me shenja dhune në shtratin e babait të saj, tani të ndjerit A.D., ku janë vërejtur edhe njolla gjaku, krejt këto të shkaktuara me dyshimin nga babai i saj tani i ndjeri A., ashtu që nga veprimet e të njëjtëve janë privuar nga jeta dy anëtarë të familjes së tyre”, thuhet në komunikatë.
Gjykata ka bërë të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
“Po të lihej i lirë, i pandehuri, me qëllim të koordinimit dhe minimizimit të pasojave për veprimet e ndërmarra, do të mund të ndikojë në dëshmitarët e tjerë”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Gjykata ka njoftuar se palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.