66 kërkesa, Presidentja shqyrton vetëm një për faljen e dënimit ndaj një të burgosuri

Prishtinë | 20 Jan 2024 | 11:28 | Nga Ekonomia Online

66 kërkesa për falje të dënimit nga të burgosurit kanë shkuar në zyrën e Presidentes së Kosovës vetëm gjatë vitit 2023.

Por, Vjosa Osmani është duke e shqyrtuar vetëm 1 prej tyre për të falur, meqë nga komisioni për vlerësim i janë dërguar 3 persona.

“Nga Komisioni, janë rekomanduar për falje tre (3) persona të dënuar. Lidhur me këtë, në nenin 31 (1) të Rregullores (P) Nr. 02/2017 për Kriteret dhe Procedurat për Faljen e Personave të Dënuar, përcaktohet se: ‘Presidenti shqyrton raportin e Komisionit dhe vlerëson rekomandimet e Komisionit, i miraton ose nuk i miraton ato, vendos për të dhënë falje tjetër nga ajo që është rekomanduar apo vendos për të mos falur’”, thuhet nga Zyra e Presidencës.

“Pra, bazuar në Rregulloren (P) Nr. 02/2017, Presidentja ka kompetencë të shqyrtojë dhe ta miratojë ose jo rekomandimin e Komisionit. Pas marrjes së këtyre rekomandimeve, gjatë procesit të shqyrtimit nga Presidentja ashtu siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi, jemi njoftuar nga Ministria e Drejtësisë se dy personat e rekomanduar nga Komisioni, janë liruar nga Paneli për Lirim me Kusht, andaj nuk ka pasur nevojë të procedohet me dekrete. Ndërsa, rekomandimi i tretë i Komisionit është në procedurë të shqyrtimit nga Presidentja”, vijon aty.

Por Osmani nuk ka falur asnjë person deri më tash, as për ndonjë festë zyrtare siç ndodhte në të kaluarën, çka sipas KMDLNJ-së, është e padrejtë dhe zhgënjyese për të burgosurit.

“Zhgënjimi më i madh vjen nga vetë Komisioni, të cilët rekomandojnë vetë tek presidentja persona të cilët plotësojnë kriteret për t’u falur dhe vazhdojnë të mos falen. Prandaj Komisioni do duhej të ishte më dorë lirë”, ka deklaruar Valentina Demolli nga KMDLNJ.

Në vitin 2022 në zyrën e presidentes së Kosovës, kishin shkuar 195 kërkesa nga të burgosur dhe asnjë prej tyre nuk ishte falur.

Që nga viti 2009, e tutje mbi 300 persona janë falur nga Presidenca, derisa paraardhësi i Osmanit, Hashim Thaçi, kishte falur mbi 10 të burgosur gjatë mandatit të tij./RTV Dukagjini

Të ngjashme