Ministri i Financave, Avdullah Hoti, dhe ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, kanë nënshkruar marrëveshjen për hua, e cila ka për qëllim financimin e Projektit të trajtimit të ujërave të zeza për komunën e Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë-Kosovës.
Ministri Hoti tha se kjo marrëveshje për hua me kompaninë franceze “NATIXIS” ka shumën prej 66 milionë euro dhe e cila ka garantuar kushte të mira për impiantet e ujërave të zeza.
“Kjo marrëveshje e cila vjen në emër të qeverisë franceze dhe e cila është brenda protokollit financiar kushton rreth 66 milionë euro. Me një normë interesi prej 0.036% kjo marrëveshje do të trajtojë ujërat e zeza në rajonin e Prishtinës, në veçanti Fushë Kosovës, dhe Obiliqit. Me këtë marrëveshje kontribuojmë në standardin e qytetarëve, mbrojtjen e ambientit. Projekti bazohet në një studim të fizibilitetit që është kryer në vitin 2012. Ky studim tregon që ka një normë të lartë të përfitimit prej 2.5% vlerë të investimeve”, tha ai.
Duke shpresuar se ky projekt do dërgohet shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës, ministri Hoti tha se afati i kthimit është 25 vjet.
“Projekti do të zgjas 4 vjet dhe pas aplikimit, të gjitha ujërat e zeza do të mblidhen e do të dërgohen në lumin Sitnicë me standarde të BE-së”, shtoi ai.
Ndërsa, Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, tha se ky nënshkrim i marrëveshjes për kredi është mbështetje e cilësisë së marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Është projekt që do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe ambientit të tri komunave. Ky projekt mbulon një zonë që ka disa komuna dhe do të mobilizojë shumë njerëz në të dhe njohuritë e ndërmarrjeve që do të angazhohen ,si edhe ndërmarrjet franceze me liderë botërorë që do të përfitojnë nga Kosova. Kjo dëshmon për angazhimin e Francës si një shtet mik në drejtimin e Kosovës drejt BE-së. Ne jemi krenar që ju ofrojmë këtë kredi për trajtimin e ujërave të zeza”, tha ai.