67 nxënës nga komunitet e braktisën shkollën vjet, MAShTI ndan 500 bursa

Prishtinë | 26 Shk 2022 | 09:42 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fëmijët nga komunitetet rom, ashkali e egjiptas, gjatë periudhës së pandemisë në Kosovë, kanë qenë më të prekurit, pasi për shkak të kushteve më të këqija, shumë prej tyre nuk kanë mundur ta ndjekin mësimin online, raporton Ekonomia Online.

Leonora Shabani-Bajraktari, aktiviste për të drejtat e fëmijëve, thotë se braktisja e shkollave nga fëmijët e këtyre komuniteteve ka shënuar rritje gjatë pandemisë. Kurse, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit konfirmojnë se në vitin shkollor 2020/2021 nga këto tri komuniteteve, mësimin e kanë braktisur 67 nxënës.

“Gjatë gjithë pandemisë, ata që e kanë vuajtur më së shumti këtë periudhë kanë qenë fëmijët, sidomos fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas. Sa i përket gjithë përfshirjes së tyre në arsim mund të them se nga fëmijët e këtyre komuniteteve, vetëm 10 për qind e tyre kanë mundur ta ndjekin mësimin online”.

Shabani-Bajraktari thotë se Komuna e Prishtinës është ndër të rrallat që mundohet të ofrojë mësim sa më adekuat për fëmijët e këtyre komuniteteve.

Sipas saj, në vitet 2014-2015 kishte pasur një trend të braktisjes së shkollimit. “Komuna e Prishtinës është munduar të ofrojë një mësim sa më adekuat për fëmijët, ka shkuar dhe i ka mbledhur fëmijët prej shtëpive me i sjell në shkollë”.

“Braktisja e shkollave çdo ditë po shënon në rritje. Edhe ne si institucione duhet të bëjmë më shumë edhe t’iu ofrojmë kushte sa më të mira për një gjithëpërfshirje edhe të komuniteteve në shkollat tona”.

Dukuri tjetër e keqe sipas saj është edhe paragjykimi ndaj këtij komuniteti. Ajo thotë se prindërit nuk pranojnë t’i ulin fëmijët e tyre me ata të komunitetit rom, ashkali e egjiptian.

“Për fat të keq, ne si shoqëri jemi shumë paragjykues… Bulizmi fillon prej të rriturve, mandej e vazhdojnë fëmijët. Kemi raste kur prindërit nuk kanë dashur t’i ulin fëmijët me një të komunitetit. Njëjtë, prindërit nuk kanë dashur t’i ulin me një fëmijë me nevoja të veçanta. Janë këto paragjykime të të rriturve që ua shkatërrojnë jetën fëmijëve”, thotë ajo.

E udhëheqësja e Divizionit për Arsimin e Komuniteteve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Nazan Safqi, thotë se nuk ka shumë raste të braktisjes së shkollës nga fëmijët që janë evidentuar.

“Pandemia, siç e dimë, ka shkaktuar shqetësime, probleme në vijimin e arsimit për të gjithë, jo vetëm për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas. Nuk mendoj se ka pas ndonjë braktisje të madhe apo të evidentuar dhe të raportuar në ministri lidhur me këtë çështje gjatë pandemisë”.

“Ministria është munduar që t’i mbështesë këta fëmijë, edhe përmes pajisjeve teknologjike. Edhe komunat kanë ndarë pajisje teknologjike për këta fëmije, gjithashtu edhe organizatat e ndryshme kanë ndihmuar në furnizimin apo sigurimin e pajisjeve teknologjike për këta fëmijë që të kenë sa më të lehtë të vijojnë mësimet nga shtëpia”.

Safqi ka dhënë për Ekonomia Online shifra se sa fëmijë që e kanë braktisur shkollën gjatë vitit shkollor. Shkak i braktisjes, ajo thotë se janë kryesisht kushtet e rënda ekonomike, ndonëse MASHTI ndan rreth 500 bursa për nxënësit e shkollave të mesme nga këto komunitete.

“Për vitin 2020/2021 numri i nxënësve braktisës nga këto tri komunitete janë: Nga komuniteti ashkali- 52 nxënës gjithsej që e kanë braktisur shkollën;3 janë nxënës romë dhe egjiptas janë 12 nxënës. Pra, gjithsej numri i nxënësve braktisës është 67”, tha ajo.

“Zakonisht këto komunitete shkaku i kushteve ekonomike më të rënduara që i kanë ato nuk munden të vijojnë shkollimin e rregullt. Ministria e Arsimit gjithashtu sa i përket vijimit të shkollimit të mesëm sidomos çdo vit ndan bursa për këto tri komunitete. Numri i bursave që ndajmë për këto tri komunitete rom, ashkali dhe egjiptian është diku 500 bursa. Kjo realizohet çdo vit shkollor edhe këtë vit normalisht kemi bërë ndarjen e këtyre bursave dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Safqi.

Të ngjashme