As në vazhdimin e sotëm të seancës së filluar qysh 15 më prill, nuk u konstitua Kuvendi i Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ishte përpjekja e gjashtë me radhë për konstituimin e këtij institucioni ligjvënës.
Edhe kësaj radhe dështoi propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit. Ajo, për herë të katërt, i mori 57 vota, nga të paktën 61 vota të nevojshme për t’u zgjedhur.
Vetëvendosje nuk po heq dorë nga kandidimi i Haxhiut për kryeparlamentare.
Nga ana tjetër, opozita po e quan atë figurë përçarëse.
Seanca konstituive do të vazhdojë, më 27 prill në orën 10:00.
Kusari-VV: Sipas Kushtetutës, Kuvendi konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultatit zgjedhor, i bie këtë të diel
Deputetja e e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se nuk janë për ta bllokuar formimin e institucioneve, por afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit janë duke u afruar drejt përfundimit, raporton EO.
Ajo shtoi se sipas Kushtetutës, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, afat që përfundon këtë të diel.
“Ne në asnjë moment nuk jemi për të bllokuar formimin e institucioneve. Është paraparë edhe me Kushtetutën e Kosovës që 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të konstituohet Kuvendi. Ai 30 ditësh është ditën e diel. Mund të jetë edhe nesër. Kjo situatë nuk është që mund të shkojë në pafundësi. Po afrohet gradualisht një datë tjetër e zgjedhjeve”, tha Kusari-Lila.
Krasniqi-PDK: Nëse nuk dalim nga kjo situatë, zgjedhje do të kemi në maj ose në qershor
Pas dështimit të sërishëm të seancës konstituive, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, tha se nëse nuk ka zgjidhje të kësaj situate vendi mund të shkoj në zgjedhje në muajin maj ose qershor, raporton Ekonomia Online.
“Nuk i ka votat as për qeveri. Sikur t’i kishte votat për qeveri do t’i kishte edhe votat për kryetar të Kuvendit. Ose duhet konstituar Kuvendin ose një marrëveshje politike, ose të shkohet në zgjedhje. Duhet ta propozuar dikë tjetër. Nuk dua t’ua imponoj kandidatin. Veten ta propozojë ai (Albin Kurti). Nëse nuk dalim nga kjo situatë zgjedhje do të kemi në maj ose në qershor. Albulena Haxhiu nuk kalon. I ftoj të ndërrojnë kandidatin, nxirreni dike që i merr votat”, tha Krasniqi.
Kica -LDK: S’mund të bëjmë kompromis për një figurë për ne të papranueshme
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se nuk mund të bëjnë kompromis për një figurë të papranueshme për LDK-në,.
“Ka parti të tjera politike që duken të gatshme të krijojnë një konsensus të tillë politik. Nuk kam parë ndonjë përafrim apo gatishmëri nga partia fituese që të bisedojë me ato parti politike, të cilat janë të gatshme për një konsensus të tillë. Vetëvendosje duhet të kuptojë që kryekuvendari duhet të jetë përfaqësues i denjë i Kuvendit të Kosovës e jo përfaqësues politik. Dhe, mendoj se këta po e dëshmojnë në vazhdimësi edhe përmes përfaqësuesit teknik Dehari që nuk i kanë të qarta rolet në Kuvendin e Kosovës. Mua më vjen keq që situata është e tillë. Qytetarët presin, megjithatë, që institucionet të themelohen sa më shpejt, por duhet ta mirëkuptojnë qëndrimin e LDK-së. Nuk mund të bëjë kompromise për një figurë që për ne është e papranueshme, duke pasur qasjen e saj ndaj vetë institucionalizimit dhe shtyllave demokratike të Kosovës”, tha Kica-Xhelili.
Berisha-AAK: Pesha më e madhe e fajit është e atyre me më shumë vota
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, u shpreh i hapur për të votuar kandidatin e mazhorancës për kryeparlamentar, porse tha se duhet gjetur një taktikë, qoftë me pozitën apo opozitën, raporton EO.
“Është hera e gjashtë, që po dështon. Mendoj që nuk ka askush ndonjë strategji apo taktikë, por jemi mbetur kështu. Tash po shihet që po duan ta lënë kështu. Kjo pesha e fajit më e madhe është e këtyre që i kanë 42 vota, plus aleatët e vet”, tha Berisha. I pyetur se a do ta votonte personalisht ai tha se është praktik.“Për bese unë jam duke shikuar, edhe Fitore Pacollin e kisha votuar. I ka pasur do probleme me megjë… Edhe e kisha votuar ndonjë tjetër. Unë jam goxha praktik”, tha Berisha.
Limaj-Nisma: Koha që Vetëvendosje të lëshojë rrugë
Deputeti dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i bëri thirrje partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, t’ua hapë rrugën partive të tjera parlamentare për formimin e institucioneve të reja, raporton Ekonomia Online.
“Besoj se tashmë është bërë e qartë se partia që i ka fituar zgjedhjet nuk i ka votat dhe është koha të lëshojë rrugë për të krijuar një shumicë, e cila do t’i themelonte institucionet”, tha Limaj, duke shtuar Nisma nuk ka marrëveshje politike me asnjë parti.