Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF) kanë nënshkruar sot një Memorandum Bashkëpunimi që synon të krijojë një bosht të ri strategjik ndërmjet arsimit të lartë dhe sektorit privat në Kosovë. – Model i Ri i Partneritetit Strategjik për Zhvillimin e Vendit
Ky memorandum është më shumë se një marrëveshje formale – ai përfaqëson një vizion të përbashkët për të ardhmen, ku studentët dhe bizneset janë përfituesit kryesorë. Përmes kësaj platforme bashkëpunimi, studentëve do t’u ofrohen më shumë mundësi për praktika profesionale, angazhim në projekte reale dhe lidhje të drejtpërdrejta me nevojat e tregut të punës. Ndërsa bizneset do të kenë qasje në potencialin intelektual dhe energjinë krijuese të gjeneratës së re, si dhe mundësi për të ndikuar në formësimin e profileve të ardhshme profesionale.
Prof. Mr. Sc. Besart Dreshaj, kryetar i LBK-së, theksoi se:
“Ky memorandum është një sinjal i qartë që Kosova ka kapacitete për të ndërtuar ura të forta mes dijes dhe zhvillimit. E ardhmja ekonomike fillon me investim në njerëz, dhe ky partneritet është pikërisht për këtë qëllim.”
Nga ana tjetër, Rektori i USHAF-it, Prof. Dr. Agron Bajraktari, theksoi se bashkëpunimi me sektorin privat është i domosdoshëm për një arsim të qëndrueshëm dhe të aplikueshëm në praktikë. Ai shtoi se studentët do të kenë më shumë mundësi për zhvillim profesional dhe për t’u bërë kontribuues të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike të vendit.
Pjesë e delegacionit të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës ishin:
• Prof. Mr. Sc. Besart Dreshaj – Kryetar,
• Hashim Deshishku – Nënkryetar,
• Murat Kuka – Anëtar, dhe
• Dr. Adem Qorolli – expert i ekonomisë,
të cilët ritheksuan përkushtimin e LBK-së për të krijuar një ekosistem bashkëpunimi ndërmjet universiteteve dhe sektorit të biznesit si faktor kyç për rritje të qëndrueshme ekonomike.