Një natë të vështirë kanë përjetuar banorët dhe zjarrfikësit në Himarë, ku një zjarr i fuqishëm përfshiu mbrëmjen e së premtes lagjen nr. 1.
Flakët, të favorizuara nga era e fortë, u përhapën me shpejtësi duke dalë jashtë kontrollit dhe duke rrezikuar banesat dhe bizneset në zonë. Si pasojë e zjarrit, 7 banesa janë djegur plotësisht, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, raporton “Euronews Albania”.
Përballë përhapjes së shpejtë të flakëve, banorët, por edhe turistët që ndodheshin në zonë, u detyruan të largoheshin nga banesat dhe strukturat ku qëndronin, për t’iu shmangur rrezikut.
Sipas të dhënave paraprake të Prefekturës dhe strukturave të Mbrojtjes Civile, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa situata ka vijuar të jetë problematike deri në orët e para të mëngjesit.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave kanë punuar gjatë gjithë natës për të izoluar vatrat e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Rreth 460 efektivë dhe punonjës të strukturave të ndryshme janë angazhuar në terren për përballimin dhe shuarjen e zjarrit.
Në operacion janë përfshirë rreth 300 forca, të mbështetura nga automjete zjarrfikëse dhe efektivë të MZSH-së nga Fier, Tiranë, Tepelenë, Himarë, Vlorë, Finiq, Delvinë, Sarandë, Gjirokastër dhe Dropull.
Në orët e mëngjesit, situata është vënë nën kontroll, ndërsa operacioni për shuarjen përfundimtare të zjarrit vijon. Në ndihmë të forcave në terren ka nisur ndërhyrja edhe nga ajri, me një helikopter që po operon mbi zonën e prekur nga zjarri.
Zjarri ka lënë pas dëme të mëdha materiale dhe një situatë të rëndë për banorët e Himarës, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e vatrave.