Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar vazhdimisht me kohë të gjithë qytetarët të cilët kanë dorëzuar plikot e tyre për rimbursim nga kuponët fiskal për tre mujorin e parë të këtij viti (TM1 2017), se verifikimi i plikove ende nuk ka përfunduar, pasi që interesimi i qytetarëve për të qenë pjesë e kampanjës edhe në këtë periudhë ka qenë tejet i madh.
Sipas të dhënave nga departamenti i Arkave Fiskale, është edhe një numër i konsiderueshëm i plikove të cilat janë në proces të verifikimit.
Zëdhënësja e ATK-së, Valentina-Bytyqi-Sefa në një përgjigje për ‘Indeksonline’ ka treguar edhe shifrat se sa është numri i atyre që ende nuk u janë rimburësuar mjetet në llogarit bankare për kuponët fiskal.
“Numri i plikove të qytetarëve që kanë mbetur pa u verifikuar per TM1 2017 është 70.000 pliko te pa verifikuara”, është shprehur ajo.
Mirëpo më tej ajo thotë se zyrtarët nga departamenti përkatës, janë duke punuar në vazhdimësi në mënyrë që të gjitha plikot e kësaj periudhe të përfundojnë sa më shpejt që është e mundur.
Ndërkaq, kujtojmë se ky institucion financiar për t’i informuar qytetarët në mënyrë më të mirë ka realizuar një modul me të cilën ata kanë mundësi të përcjellin plikot e tyre për gjithçka rreth kuponëve fiskal.