“Kësi buxheti nuk ka pasë kurrë Kosova”, pati deklaruar kryeministri Albin Kurti në prezantimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit 2022.
Ky projektligj u bë ligj të premten në Kuvendin e Kosovës me 65 vota për të deputetëve.
Më pas Qeveria e Kosovës tha se përmes këtij ligji sigurohet qëndrueshmëri e financave publike, ringjallje e ekonomisë e orientim drejt prodhimit vendor, përkrahje të punësimit e fuqizim të grave dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e rritje të mirëqenies qytetare.
Por, në cilët sektorë kryesisht do të shkojnë 2 miliardë e 748 milionë euro?
20 milionë euro janë ndarë për skemën e punësimit të garantuar për të rinj, 45 milionë euro për shtesat për lehonat dhe fëmijë dhe 35 milionë euro për skemat sociale e pensionale.
Për investime, Qeveria ka ndarë 40 milionë euro për prodhuesit vendorë, 40 milionë euro për ringritjen e ndërmarrjeve publike dhe mbi 700 milionë euro për sektorin e arsimit, shëndetësisë, kulturës, infrastrukturës e sigurisë.
Kurti pati thënë se shumë prej ndarjeve buxhetore janë bërë për herë të parë në Kosovë.
Një prej tyre janë 100 milionët e ndarë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të cilën Kurti tha se “e kemi projektin tonë madhor”.
Për herë të parë, në planet e shpenzimit të parave të Kosovës hynë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës me 2 milionë euro mbështetje. Po ashtu, 10 milionë euro janë ndarë për blerjen e objekteve të ambasadave e Kosovës në shtetet e tjera.