Ligjëruesi i Universitetit Ludëig – Meaxmilians në Mynih, Abit Hoxha, ka thënë se në rast që aktivistët e Vetëvendosjes për të cilët u ngrit aktakuzë për terrorizëm, shpallen fajtor, atëherë kjo gjë do ndikojë në shumë aspekte.
Por ai ka thënë se parimisht asnjë prej tyre nuk është shpallur fajtor, pra nuk duhen shikuar si të tillë.
Hoxha në “Ballë për Ballë” të Klan Kosovës, është shprehur se nëse do shpalleshin të fajshëm për këtë akuzë, atëherë do të ndikonte jo mirë për subjektin të cilit i përkasin.
“Kjo është aktakuza e parë e këtij lloji në Kosovë, do të jetë si bazë se çfarë do të bëjmë më tutje për grupe të tilla që kanë edhe pjesë të agjendës politika edhe dhunën, do të ketë ndikim të madh në raste të tjera”.
“Do të ketë ndikim edhe në mënyrën se si shihet shteti i Kosovës, por edhe për Lëvizjen Vetëvendosje”.
Por sipas tij, edhe nëse do shpalleshin të fajshëm kjo nuk do e bënte vendin tonë të parë që shpall fajtor për terrorizëm disa persona që janë pjesëtar të një subjekti politik.
“Veprime të dhunshme ka edhe në Unionin Evropian, të afërta me grupacionet e ndryshme ka edhe në shtetet më demokratike. Një këndvështrim duhet të hidhet në kontekstin të cilin ndodhet Kosova e të gjitha këto do të konsiderohen si argumente prej palës edhe mbrojtëse edhe akuzuese në këtë proces”.
Ndonëse Hoxha është shprehur se ata që merren me terrorizmin në anën shkencore nuk kanë një definicion të njëjtë mbi të, është pajtuar që në esencë terrorizmi ka për qëllim frikësimin e qytetarëve. Pikërisht në aktakuzën e ngritur ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes për hedhjen e molotovit në objektin e Kuvendit të Kosovës, shkruhet që ata kanë frikësuar qytetarët.
“Frika është një prej çështjeve të mëdha që terrorizmi ka për qëllim”
“Gjykata do ta vërtetoj, do të shkojë procesit nëse është e vërtetë edhe personat e tillë gjykohen sipas ligjit kjo vepër do të ishte i tillë”.
Por në rast që këta aktivistë të Vetëvendosjes do shpalleshin të pafajshëm, atëherë sipas Hoxhës besimi i dobët që qytetarët kanë për institucionet e drejtësisë do të venitej edhe më shumë.
“Besimi në institucionet edhe ashtu është shumë i ulët. Të gjitha hulumtimet e tregojnë që qytetarët kanë besim tejet të ulët në institucionet e Kosovës, e sidomos në ato të drejtësisë, prandaj besoj që Prokuroria kur ka punuar në aktakuzë do të ketë ndërmend këtë çështje”.
“Nëse vërtetohet e kundërta e aktakuzës atëherë tregon që shteti nuk është serioz, nuk është interesuar që ky proces të jetë demokratik dhe fer”.