71% e amerikanëve mbështesin Biden për ndalimin e udhëtimeve me vendet afrikane

Prishtinë | 14 Dhj 2021 | 10:15 | Nga Ekonomia Online

Shumica dërmuese e votuesve e mbështesin vendimin e presidentit Joe Biden për ndalimin e udhëtimit për tetë shtete të Afrikës së Jugut si masë parandaluese për variantin e ri të koronavirusit Omicron.

Në sondazhin e realizuar nga Hill-HarrisX Poll 71 % e votuesve të regjistruar thanë se e aprovojnë vendimin e presidentit amerikan për të ndaluar udhëtarët nga këto vende, derisa 29 % e respodentëve kanë thënë se nuk pajtohen.

Nga të dhënat e këtij sondazhi del se 78 % e republikanëve, 88 % e demokratëve dhe 82 % e të pavarurve e mbështesin këtë vendim.

Senatori Rand Paul e ka kritikuar ndalesën e udhëtimit në një intervistë gjatë të dielës duke thënë se “ndalimi i udhëtimeve nuk do të funksionojnë  në parandalimin e shpërndarjes së këtij varianti të koronavirusit”.

Dr. Anthony Fauci ka thënë javën e kaluar se SHBA-ja shpreson ta heqë ndalimin e udhëtimit në vendet afrikane në një periudhë të arsyeshme kohore, pasi të dihen më shumë informacione për variantin Omicron.

Ky sondazh është realizuar online me 926 votues të regjistruar, mes datave 6 dhe 7 dhjetor, dhe ka një margjinë të gabimit prej 3.2 pikë të përqindjes.

Harris Poll është një kompani amerikane e kërkimit dhe analitikës që studion ndjenjat, sjelljet dhe motivimet e të rriturve amerikanë që nga viti 1963.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme