Gazetarët e shqetësuar nga nisma ligjore për kontroll të medieve

Prishtinë | 18 Kor 2016 | 12:45 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gazetarët e Kosovës janë shqetësuar me një nismë ligjore e ndërmarrë nga Zyra e kryeministrit me anë së cilës pretendohet që të kontrollohen mediat online në lidhje me raportimin për fëmijë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për të informuar gazetarët dhe publikun rreth një nisme ligjore përmes së cilës do të censurohen dhe të kontrollohen mediat.

Sipas AGK-së dhe KMShK-së, e ashtuquajtura “Rregullorja për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve në transmetime audiovizuele, media të shtypura dhe media online” ka probleme serioze ligjore. Kjo iniciativë është ndërmarrë nga UNICEF-i dhe është përkrahur nga zyra e Kryeministrit, raporton EkonomiaOnline.

Për herë të parë vë nën kontroll dhe qeverisje të institucioneve publike mediat online dhe të shtypura, kur dihet se organi kompetent për rregullimin e tyre është Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), si organ vetërregullues;

Ia merr kompetencat Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) sa iu përket mediave audiovizuele dhe i vë nën mbikëqyrje qeveritare; Rregullorja përmban logon e Qeverisë dhe emrin e kryeministrit Isa Mustafa.

AGK dhe KMShK kundërshtojnë fuqishëm idenë e UNIECF-it dhe të Zyrës së Kryeministrit që të fillojë të kontrollojë mediat online dhe të shtypura, të cilat janë kompetencë e KMShK-së. Kjo do të ishte në kundërshtim me praktikat e shteteve, si Anglia, Gjermania, Belgjika, Finlanda e Suedia.

Imer Mushkolaj nga Këshilli i Mediave të Shkruara tha se kjo nismë është kundër mediave, sepse Qeveria nuk mund ta rregullojë mënyrën e raportimit për fëmijë.

“Kemi analizuar rregulloren dhe ka probleme ligjore. Është absurde që një rregullore të hartohet para se të ekzistojë ligji për mbrojtjen e fëmijëve. Është hera e parë që Qeveria do të vë nën kontroll mediat online dhe të shtypura. Nëpërmjet kësaj rregulloreje Qeveria do t’ia marrë kompetencat e Komisionit të Pavarur për Media”.

“Kjo nismë është kundër mediave sepse qeveria nuk mund të rregulloj çështjen e raportimit për fëmijë pasi që ekziston Këshilli i Mediave të Shkruara dhe Komisioni i Pavarur që rregullon këtë”, tha ai duke shtuar se kjo rregullore ka disa probleme.

“Rregullorja ka tri gjëra që s’janë në rregull, e para nuk është e bazuar në ligj, e dyta është hera e parë që qeveria provon të vë nën kontroll mediet online dhe të shtypura, dhe e treta nëpërmjet kësaj rregulloreje qeveria tenton t’ja marr komandën Komisionit të Pavarur të Medieve”, tha ai.

Mushkolaj tha se kanë kërkuar nga zyra e kryeministrit të kërkojnë shpjegime për këtë por nuk i kanë dhënë asnjë shpjegim.

“Zyra e kryeministrit na ka injoruar për informacionet që kemi kërkuar për këtë rregullore. Ne e kundërshtojmë këtë kontrollim të mediave nga zyra e kryeministrit dhe UNICEFI sepse KPM e ka rregulloren për këtë dhe nuk duhet t’i merren kompetencat por duhet që zyra e kryeministrit të shikojë se a po e kryen punën KPM. Kërkojmë nga Zyra e kryeministrit që brenda 10 ditësh të jepen sqarime për këtë dhe të ndalet kjo”, tha ai.

Shkëlqim Hysenaj, kryetar i AGK-së tha se pavarësisht që kanë dërguar imella dhe kërkesa për të ditur çfarë po ndodh me këtë rregullore ata nuk iu kanë kthyer asgjë.

Para një muaji jemi kontaktuar nga UNICEF-i për të ofruar komente në rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve në transmetime audiovizuele, media të shkruara dhe medie online”, ka thënë Hysenaj.

“Na patën thënë që përgjigja do të vijë me 7 korrik mirëpo ende asnjë përgjigje. Jemi të dëshpëruar me veprimet e zyrës së kryeministrit dhe të qeverisë sepse ky dokument përmban emrin e tij dhe pritet vetëm nënshkrimi. Ne e konsiderojmë të papranueshme”, tha ai.

Të ngjashme