8 prilli, Dita Ndërkombëtare e Romëve, ka rëndësi për komunitetin rom, pasi synon të ndërgjegjësojë shoqërinë mbi sfidat që kalon komuniteti Rom në mbarë botën.
Në këtë ditë sillet në vëmendje historia, tradita dhe kultura e këtij komuniteti.
Në formë zyrtare, kjo ditë do të deklarohej në vitin 1990, në Poloni, gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë, i mbajtur në prill të vitit 1971.
Çfarë i karakterizon romët?
Romët njihen gjerësisht për muzikën dhe kërcimin tradicional. Madje, muzika e tyre ka influencuar kompozitorët e muzikës klasike të tillë, si: Franz Liszt dhe Johannes Brahams. Violina, kitara dhe klarineta janë instrumentet e preferuara të muzikantëve romë.
Sa i përket kërcimit tradicional të tyre, ata kanë ruajtur elemente nga India, duke u përzier me detaje të marra nga kultura e vendeve në të cilat romët kanë jetuar.
Kërcimi tipik i tyre është flamengo, i cili përfaqëson shembullin më të dukshëm të kontributit të romëve në stilin e përgjithshëm të kërcimeve.
Romët, gjithashtu, i kanë zhvilluar traditat e tyre edhe në poezi dhe pikturë.
Gjuha rome
Gjuha rome, “romane”, është një gjuhë indo-ariane, pjesë e familjes gjuhësore indo-evropiane. Ajo do të flitej që nga fillimi i mesjetës vetëm në diasporë, jashtë Indisë.
Sot ajo është një pjesë integrale e diversitetit linguistik evropian.
Të shumtë kanë qenë studiuesit, të cilët janë munduar ta formalizojnë duke sjellë në botim abetare dhe fjalorë të ndryshëm. Tanimë, gjuha e tyre vijon të ruhet mirë dhe flitet në të gjithë botën në dialekte të ndryshme.
Gjuha, në fakt, sipas studiuesve, dëshmon edhe origjinën e tyre. Ata kanë një ngjashmëri me gjuhët e folura në Indinë Qendrore dhe Veriore.
Punimet artizanale
Romët kanë shkëlqyer edhe në punimet artizanale, si në punimin e metalit, qëndisjen dhe gdhendjen e bizhuterive. Shportat e kashtës, të punuara me dorë, janë një tjetër produkt tipik i romëve.
Veshjet e romëve
Veshjet tradicionale përdoren akoma gjerësisht në disa komunitete rome. Gratë veshin fund të gjatë të lidhur në të majtë të belit, një bluzë dekolte, një jelek bolero, një përparëse dhe vathë me ngjyra.
Simboli identifikues i romëve
Flamuri rom është krijuar nga Unioni i Përgjithshëm i Romëve në Rumani, në vitin 1933. Ai u miratua nga përfaqësuesit ndërkombëtarë romë në vitin 1971, duke u bërë i njohur si flamuri ndërkombëtar i romëve.
Simbolika e ngjyrës blu përkon me qiellin, ndërsa jeshilja me tokën dhe të korrat. Flamuri, si simbolikë të zjarrit, lëvizjes dhe progresit, mban gjithashtu një rrotë të kuqe (chakra), duke e lidhur me origjinën indiane të romëve./ Albanianpost.com