Paul Scholes beson se Manchester Unitedi po e tepron me ofertën për rikthimin e Paul Pogbas, për të cilin planifikon të thyejë rekordin botëror të transferimeve.
Mesfushori francez u largua nga Djajtë e Kuq si transfer i lirë në vitin 2012 duke iu bashkuar Juventusit dhe tash është bërë lojtari më i kërkuar në treg.
Unitedi është në garë me Real Madridin për shërbimet e 23-vjeçarit dhe po flitet për një shumë që mund të shkojë deri në 120 milionë euro.
Scholes e pëlqen lojën e Pogbas, por thotë se një shifër e tillë e vë atë në nivel me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon, gjë që nuk përkon me realitetin.
“Ai është një lojtar shumë i talentuar. Kam luajtur shumë me të… Në rregull, ai ka bërë gjëra të shkëlqyera dhe ka bërë përparim mbresëlënës. Mirëpo, nuk mendoj se është një lojtar që aktualisht vlen 100 milionë funte (120 milionë euro) e më shumë”.
“Për ato para, vlen një lojtar që shënon mbi 50 gola në sezon, si Ronaldo ose Messi. Pogba nuk është akoma në atë nivel”, ka deklaruar Scholes.