99-vjeçarja u kthehet lojërave kompjuterike pasi mposhti COVID-19

Prishtinë | 22 Tet 2020 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Kur gjyshja 99-vjeçare Florentina Martin u infektua me koronavirus në shtator, frika e mbesës së saj nuk ishte se sëmundja do të shkaktonte vdekjen e saj, por se do të përfundonte e vetme në repartin e emergjencës, shkruan agjencia Reuters.

“Gjithmonë kam menduar se vetmia do të shkaktonte vdekjen e saj para se të bënte këtë virusi, pasi ajo kishte frikë të rrinte vet, veçanërisht në spital”, ka thënë Noelia Valle.

Ajo mendon se gjyshja e saj me gjasë është infektuar në festën për ditëlindjen e 99-të më 16 shtator, kur familja doli jashtë në ballkon ku shijoi motin e bukur me pije.

“Mendoj se duhet të ketë qenë në atë moment, pasi të gjithë ishim bashkë afër njëri-tjetrit pa maska”, ka thënë Valle.

Disa ditë më vonë, Martin nisi të ndjehej e dobët dhe mbeti e shtrirë në shtrat.

Ekspozimi ndaj vajit të kontaminuar të rapit kur ishte e re i shkaktoi asaj probleme shëndetësore jetësore, duke e bërë më të cenueshme ndaj komplikimeve respiratorike të shkaktuara nga COVID-19.

Por ajo zhvilloi vetëm simptome të buta dhe ishte në gjendje të rikuperohet në shtëpinë e vet në Madrid, me përkrahje të familjes, kujdestares Olga Arauz dhe qenit të saj Luna.

Tash ajo është kthyer në ritmin e zakonshëm, duke shikuar emisione televizive dhe duke luajtur videolojëra në tabletin e stërnipit të saj pesëvjeçar Pedro.

“Jam mirë”, thotë Martin.

Megjithë rikuperimit të gjyshes, Valle, që është biologë, insiston në mbajtjen e maskës kur e viziton atë.

Të ngjashme