Kthimi i të reshurave të borës krahas problemeve për drejtuesit e automjeteve, po shkakton vështirësi edhe për këmbësorët në kryeqytet, pasi Komuna e Prishtinës nuk ka pastruar trotuaret.
Mehmet Duqi tha për Ekonomia Online se për personat më në moshë mund të ketë pasoja edhe më të mëdha si shkak i makinave dhe ngricave në trotuar.
“Munden me qenë më të pastra. Sheshi është më i pastër por pjesët e tjera të qytetit nuk ka fare pastrim. Trotuareve dimrit nuk dalim hiç e sidomos ne që jemi në moshë madhore mund të rrëzohesh dhe të kesh pasoja. Ti s’mundesh me kalu nga makinat në të gjitha trotuaret”.
“Fatbardhësisht sivjet nuk ka pasur ngrica si vitet më herët, por megjithatë parkinku pa vend dhe zënia e trotuareve është një gjë e shëmtuar”.
Paksa ne ironi, Duqi tha se pret që kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, të sjellë “kulturën” e Londrës ku ka jetuar për shumë vite.
“Ky zotria që na ka ardh nga Londra duhet ta marrë hapa për pastrimin e rrugëve e trotuareve. Sado-kudo shpresoj të na sjell një kulturë të Londrës”.
Avni Lakna tha për Ekonomi Online tha se po kanë vështirësi në gjatë ecjes në trotuare e se me pastrimin e kompanive nuk është i kënaqur.
“Po ka vështirësi kur po ka edhe akull. Kompanitë që e marrin tenderin duhet më shumë punëtorë me pas, mos me marr tenderin me të njohshëm por me ja qit vlerën sa duhet dhe me mirëmbajt. Nuk jemi të kënaqur. Kjo s është në rregull”, ka thënë ai.
Osman Abazi tha se gjatë sezones së dimrit pastrimi i rrugëve duhet të jetë primar se përndryshe mund të vijë deri tek thyerja e gjymtyrëve.
“Sigurisht, tash koha e dimrit është prezente, por mirëmbajtja duhet të jetë e vazhdueshme. Ne së pari fillojmë si të dalim nga shtëpia duhet me pastru oborrin për të dalë edhe në rrugë. Ne së pari duhet të nisemi nga vetja. Sepse pastrimi duhet të jet numër një në kohën e dimrit sepse mundet me ardh edhe tek lëndimi, thyerja e gjymtyrëve”.
“Ne nuk jemi absolutisht të kënaqur. Shumë akull, papastërti e madhe”, ka thënë ai.




