Shkarkohet Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Pastrimi”

| 08 Kor 2022 | 15:36 | Nga

Bordi i Kompanisë Regjionale “Pastrimi”, ka shkarkuar nga pozita e kryeshefit, Burim Kelmendin.

Kjo është bërë e ditur në njoftimin për medie, ku thuhet se Bordi i kësaj Kompanie ka konstatuar se Kryeshefi Ekzekutiv nuk ka realizuar objektivat për rritjen e kapitalit të kompanisë, si objektiv bazë i përcaktuar me Plan Biznesin e aprovuar, dhe krejt kjo për shkak të keqmenaxhimit.

“Në mbledhjen e jashtëzakonshme, Bordi i Drejtorëve të KRM “PASTRIMI”, ka konstatuar se Kryeshefi Ekzekutiv nuk ka realizuar objektivat për rritjen e kapitalit të kompanisë, si objektiv bazë i përcaktuar me Plan Biznesin e aprovuar, dhe krejt kjo për shkak të keqmenaxhimit. Është vërtetuar se ka pasur devijime ekstreme nga parashikimet e Planit të Biznesit, ka pasur mbipunësim të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me fuqinë ekonomike të kompanisë, si dhe është praktikuar edhe nepotizëm. Kjo është konstatuar edhe në gjetjet e Zyres së Auditorit të jashtëm, e cila ka gjetur shumë shkelje të rënda për kompaninë, si pasojë e marrjes së vendimeve përtej kompetencave të Kryeshefit Ekzekutiv, pa aprovim nga Bordi i Drejtorëve”, thuhet në njoftim.

Vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, Burim Kelmendit, hyn në fuqi sot, me datë 08.07.2022.

Të ngjashme