Për herë të parë në Kosovë është bërë hapja e panairit të automjeteve të reja “Prishtina International Autoshow” në të cilën marrin pjesë 21 brende të njohura të veturave.
Gjatë hapjes së këtij panairi, ministrja në detyrë e Tregtisë, Hykmete Bajrami, tha se gjatë këtyre dy viteve e gjysmë është punuar në reforma, në mënyrë që të ketë një ambient më të mirë të të bërit biznes.
Ajo shtoi se është kënaqësi të shohësh një dinamizim të jetës ekonomike në vendin tonë, dhe uroi organizatorët për organizimin e suksesshëm të këtij panairi.
Bajrami nënvizoi se është mirë që trendi i blerjes së veturave të reja në Kosovë po shënon rritje, dhe në këtë mes, ministrja përmendi faktin se këto vitet e fundit kemi pasur përmirësim të ofertës kreditore, përkatësisht ulje të konsiderueshme të kamatave nga bankat komerciale në vendin tonë falë përmirësimit të përgjithshëm të indikatorëve ekonomikë në vend.
Ndërsa, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se një ndër arsyet kryesore të ndotjes së ambientit janë edhe veturat e vjetra. Sipas tij, zvogëlimi i numrit të veturave të vjetra dhe rritja e numrit të veturave të reja do të ndikojë në përmirësimin e ambientit në Prishtinë.
Organizatori i këtij panairi, Bujar Hoxha, u shpreh se tani kushtet për blerjen e veturave janë më të mira, pasi është bërë heqja e doganave dhe nuk ka arsye që njerëzit të blejnë vetura në vendet përreth.
