Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ai dhe ekipi i tij kanë punuar dhe do të punojnë intensivisht ditëve të ardhshme për të dalë nga kriza në veri të Kosovës.
Në përshkrimin e punës për javën që po mbyllet, Lajçaku ka thënë se të gjitha zhvillimet kanë mbetur nën hijen e “ngjarjeve dramatike në veri të Kosovës”.
“Sapo jam kthyer në Bruksel nga Bratislava ku mora pjesë në konferencën e përvitshme GLOBSEC. Pjesëmarrja ime sivjet mbeti nën hijen e zhvillimeve dramatike në veri të Kosovës dhe dhunës që rezultoi me lëndime të pjesëtarëve të KFOR-it, qytetarëve, mediave dhe zyrtarëve të forcave ligjore. Si rezultat, ia kam dedikuar shumicën e kohës në këtë konferencë koordinimit të ngushtë me partnerët tanë dhe monitorimit të situatës në terren”, ka shkruar Lajçaku në Facebook.