Mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i VV-së, Arbërie Nagavci flet për rastin e Arlinda Zekajt

Prishtinë | 31 Tet 2026 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Ka nisur mbledhja e 64-t e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, tha se mbledhja po mbahet në një moment të rëndësishëm politik, pas përmbylljes së procesit të konstituimit të institucioneve të Kosovës.

“Mbledhja e 64-t e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje po mbahet në një moment të rëndësishëm, kur kemi përmbyllur me sukses procesin e konstituimit të institucioneve të Kosovës, Kuvendit, Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentes”, ka deklaruar Nagavci.

Ajo theksoi se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, Kosova vazhdon të përballet me sfida serioze, duke përmendur edhe rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

“Vazhdojmë të përballemi me sfida serioze, siç është rasti tragjik i vrasjes së Arlinda Zekajt, krim që kërkon veprime urgjente e serioze institucionale”, u shpreh ajo.

Nagavci kërkoi gjithashtu angazhim institucional për adresimin e çdo veprimi apo mosveprimi dhe angazhim të gjithë shoqërisë për ndryshimin e gjendjes.

“Nevojitet angazhim për adresimin e çdo veprimi apo mosveprimi institucional dhe angazhim gjithëshoqëror deri në ndryshimin e plotë të kësaj gjendjeje”, ka thënë Nagavci.

Të ngjashme