Kurti ua propozoi Borellit dhe Quintit planin pesëpikësh për situatën në veri

| 13 Qer 2023 | 11:37 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, tha se i ka propozuar shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe QUINT-it një plan me pesë pika për shtensionimin e situatës në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.

Ai ka njoftuar se ka pasur bisedime me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe të Dërguarin për Dialog, Miroslav Lajçak.

Kurti në konferencë ka prezantuar planin pesëpikësh që ua ka dërguar atyre për depërshkallëzim të situatës në veri të Kosovës.

“1. Sundimi i ligjit në katër komunat veriore dhe identifikimi dhe ndjekja e atyre që kanë sulmuar policinë, KFOR-in dhe gazetarët; 2. Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës; 3. Policia e Kosovës, KFOR dhe EULEX të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë; 4. Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore, që do të mbahen në atmosferë të lirë dhe demokratike dhe 5. Kosova dhe Serbia kthehen menjëherë në dialog në të cilin BE-ja siguron zbatimin e marrëveshjes së arritur si dhe në javën që vjen të organizohet takim i nivelit të lartë”.

Kurti shtoi se presin nga Borelli dhe Brukseli përgjigje në lidhje me kërkesat që i ka bërë për de-eskalimin e situatës në veri, raporton EO.

“Unë jam i interesuar që të ketë zgjedhje në veri, e di që numri ka qenë i vogël në zgjedhje. Kjo është oferta ime duke u bazuar dhe pres përgjigje për diskutim të mëtutjeshëm me Brukselin për këtë gjë. Ne presim që Brukseli dhe Borell ta vlerësoj gatishmërinë tonë”.

“Nuk kemi nevojë edhe për një nxitim që na sjell një dështim të ri. Pa fushat parazgjedhore fer dhe demokratik. Na duhet fushat e lirë për zgjedhje të lira. Jo pa sundim të ligjit dhe jo pa fushat të lirë elektorale”, tha ai.

Fjalimi i plotë:

Tema e dytë për të cilën dua të flas sot është që ditën e fillova me një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e misionit të BE-së, me të cilët folëm për zhvillimet e fundit në vend dhe të cilët i njoftova për propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me de-eskalimin e plotë të situatës në katër komunat në veri të vendit. Propozim të cilën e kam ndarë paraprakisht me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Josep Borrell.

Dje në orën 12:00 kam pasur një telefonatë pra me zëvendës presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Josep Borrell në lidhje me situatën në komunat në veri pas zgjedhjeve komunale, kurse sot kam pritur pra në takim përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it.

Dje pasdite kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesin e BE-së për Ballkanin dhe Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë z. Miroslav Lajcak dhe njëkohësisht në mbrëmje edhe me ambasadorin amerikan në Republikën e Kosovës, z. Jeffrey Hovenier. Me z. Borell dje, dhe me vendet mike e partnerët e QUINT-it sot kam shprehur përkushtimin dhe angazhimin e plotë të Qeverisë për depërshkallëzimin e situatës në komunat në veri të Kosovës dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Pra de-eskalim dhe normalizim.

Është e rëndësishme të kuptojmë drejt se eskalimi i situatës në veri vjen në njërën anë është si pasojë e bojkotit të institucioneve dhe të zgjedhjeve nga partitë nga komuniteti serb nën urdhrat e Beogradit, përkundër shtyrjes së zgjedhjeve dhe afateve për regjistrim kurse në anën tjetër si pasojë e pranisë së elementeve kriminale në listat e pagesës së Beogradit po ashtu. Pra janë këta faktorë të cilët janë burim i tensionit të vazhdueshëm.

Megjithëkëto, përkundër veprimeve të qëllimshme destabilizuese të Serbisë, unë i kam ofruar dje z. Borrell dhe sot vendeve të QUINT-it një listë me hapa konkretë që i kontribuojnë direkt dhe menjëherë de-përshkallëzimit të situatës dhe kthimit në dialog.

Hapi i parë: Sundimi i ligjit në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.

Situata në veri nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi me 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë gjithë atyre, që ushtruan dhunë ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të NATO-s dhe juve gazetarëve. Pra, e para pikë në letrën time drejtuar z.Borrel pas telefonatës, është sundimi i ligjit në katër komuna në veri të Republikës së Kosovës, të sigurohet, të krijohet menjëherë, duke përfshirë ndër të tjera identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, pjesëtarët e NATO-s dhe gazetarët. EULEX-i është i ftuar të monitorojë drejtpërdrejt thelbin e proceseve gjyqësore të lidhura me gjykimin.

Pika e dytë: Grupet e dhunshme tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës. Në bazë të parimit të proporcionalitetit, prania e forcave të Policisë së Kosovës në tri objektet komunale në veri të Kosovës do të zvogëlohet në përputhje me rrethanat.

Pika e tretë: Policia e Kosovës dhe KFOR apo EULEX-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo pesëmbëdhjetë ditë për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë dhe për të mbështetur masat e sundimit të ligjit.

Pika e katërt: Qeveria e Republikës së Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri. Zgjedhjet e reja duhet të organizohen në një atmosferë zgjedhore të lirë, demokratike dhe të papenguar liberale.

Pika e pestë: Kosova dhe Serbia rikthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. Bashkimi Evropian siguron një plan renditjeje të drejtë dhe të balancuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, Bruksel 27 shkurt dhe Aneksit të Zbatimit të saj, Ohër 18 Mars. Udhëheqësit e të dy shteteve takohen në një nivel të dialogut të lartë në Bruksel gjatë kësaj jave.

Pra, siç e theksova dhe siç e dëshmon kronologjia e zhvillimeve, që nga 5 nëntori i vitit të kaluar, vendimet tona as nuk i kanë kontribuar eskalimit dhe as nuk janë burim i eskalimit të situatës në veri të Kosovës.

Ne jemi në detyrat tona të zbatimit të kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës. Siç edhe jemi në rrugën e drejtë të avancimit të demokracisë, zbatimin dhe promovimin e vlerave të përbashkëta e fundamentale, të cilat i ndajmë me miqtë, partnerët, aleatët tanë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ju faleminderit e tash do të mund t’ju përgjigjemi pyetjeve tuaja!

Të ngjashme