Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mbajnë konferencë për medie, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, Kurti tha se rrëmbimi i tre policëve në territorin e Kosovës, nga Policia e Serbisë ishte agresion e intencë për eskalim.
Ai ka kërkuar lirimin e policëve dhe ka kërkuar nga ndërkombëtarët që ta dënojnë aktin. Madje u shpreh i çuditur për heshtjen e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë.
Sipas tij, veprimet e radhës e Kosovës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve të Kosovës. Kurti shtoi se synimi është siguria, veçmas në kufijtë e Kosovës.
Tre policë patrollues të kufirit u kidnapuan të mërkurën nga një njësit special i policisë serbe, sipas Policisë së Kosovës, “thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës”. Ata ishin në detyrë, siç u tha, në një pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare.
Kurti tha se dyshojnë se “ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e kriminelit Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”.
“Sa e përfundim Këshillin e Sigurisë së Kosovë duke marr për temë rrëmbimin në brendi të territorit tonë. Institucionet e sigurisë dhanë vlerësimet e tyre. Rasti i djeshëm ishte agresion, intencë për eskalim”.
“Për këto arsye institucionet tona e kanë rritur nivelin e sigurisë. Janë shtuar kontrollet kufitare me Serbinë. Kërkojmë lirimin e policëve dhe kërkojmë nga ndërkombëtarët që të dënojnë këtë akt. Ajo çka është e çuditshme heshtja e faktorëve ndërkombëtar ndaj Serbisë”.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, përveç Kurtit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e të tjerë.


