Dy nga qytetarët që janë liruar pas ndalimit 48 orësh në Serbi, janë kthyer në Kosovë dhe kanë shpjeguar për media sesi erdhi deri te arrestimi i tyre.
Ata thanë se janë liruar edhe dy kosovarët e tjerë, të cilët nuk i kanë njohur më parë.
Dervish Maliqi e Esat Muqolli deklaruan se ishin rrugës për në Gjermani kur u ndaluan nga policia dhe të njëjtit u dërguan në Kushumli, raporton Ekonomia Online.
Maliqi tha se Policia serbe u thoshte atyre se arrestimi ka të bëjë vetëm për çështje politike. Ai shtoi se trajtimi i tyre nga policia serbe kishte qenë i mirë dhe se të njëjtit çuditeshin nga arrestimi i tyre.
“Krejt policët si në Kurshumli si në Prokuple, na kanë trajtuar mirë. Edhe ata janë çuditë për këtë rast. Secili polic na thoshte se kjo është vetëm politikë”.
Ndërkaq, Esat Muçolli, ka deklaruar se sipas policisë serbe, ata akuzoheshin për dëmtim të kontejnerëve para dy vjetësh.
“Na kanë ndalë si kemi kaluar, mandej na i murrën dokumentat dhe mandej s’kemi ditë asgjë. Na kanë thënë të parkojmë xhipin dhe na kanë dërguar në Kushumli. Aty kemi ndejtur nja dy orë, s’kemi ditë asgjë fillimisht”.
“Bajagi e kemi bërë një dëm këtu më 2021, një dëm të kontinjerave dhe për atë jemi akuzu. Kemi kaluar edhe më herët, s’kemi pasur probleme”.
