Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime (SIT) dhe UNFPA, kanë shfaqur dokumentarin për shënimin e “Ditës Botërore të Popullsisë”, raporton Ekonomia Online.
Në këtë dokumentar u bë thirrje për barazi gjinore dhe mosdiskriminim ndaj të gjithëve. Në realizimin e këtij dokumentari kanë marrë pjesë aktivistë e fytyra publike të shoqërisë se Kosovës si Uta Ibrahimi, Avokati i Popullit Naim Qelaj, alpinistja Mrika Nikqi etj.
Adnan Retkoceri, udhëheqës i projektit nga SIT, falënderoi ata që janë përfshirë në këtë projekt.
Visare Mujku-Nimani, nga UNFPA, adresoi abortin selektiv dhe shëndetin seksual, duke shtuar se me sfidat e jetesës më së shumti ballafaqohen gratë. Madje shtoi se në shumë raste u mohohet e drejta për të jetuar shumë vajzave.
“Ne fokusohemi në shëndetin seksual e riprodhues duke filluar nga zhvillimi i trupit e deri te lindja e fëmijëve. Me sfidat e jetesës më së shumti ballafaqohen gratë. Akoma pyesin a ke vajzë apo djalë”.
“Ende po dëshirohet të kenë djalë. Ende kemi në shoqërinë tonë abort të vajzës vetëm sepse janë vajza. Domethënë po i mohohet e drejta e jetesës vetëm pse është vajzë”, tha Mujko-Nimani.
Edi Gusia, kryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore përmendi diskriminimin dhe stereotipet gjinore me të cilat shoqëria po përballet çdo ditë.
“Është për t’u festuar 8 miliardshi sepse pavarësisht varfërisë dhe dramave njerëzore njerëzit kanë filluar të jetojnë më gjatë. Stereotipet gjinore e afektojnë standardin e jetën. E drejta për të qenë nënë është dëshirë me mundësi zgjedhjeje”.
“Barazia gjinore është e drejtë dhe është obligim. Stereotipet gjinore janë shumë prezentë. Pjesëmarrja e vajzave dhe grave është duke u bërë përherë e më e vështirë. Prandaj pjesa e edukimit për barazi gjinore duhet të jetë e pranishme sa më herët. Të investojmë shumë me tepër në hapjen e kopshteve publike apo atyre me partneritet publik. Përkujdesja ndaj fëmijëve nuk është vetëm përgjegjësi e nënave, por edhe e baballarëve. Besoj se te çështja e stereotipeve gjinore edhe mediat luajnë rol”.
Majlinda Sinani Lulaj nga Zyra e Avokatit të Popullit foli për rolin dhe ndikimin e punës së këtij institucioni. Ajo tha se institucionet duhet mbajtur përgjegjëse për veprimet që ndikojnë në progresin e njerëzve, raporton EO.
“Shumë probleme minore e madhore që na rrethojnë na bëjnë që të shohim pak se kush çka bënë. Institucioni i Avokatit të Popullit ka një mandat jashtëzakonisht të gjerë. Është institucion që shërben si institucion për të drejta të barabarta”.
“Qëndron si lloj opozite institucionale të cilat kanë fuqinë e ushtrimit të pushtetit dhe të cilat mbahen përgjegjëse në vendimarrje. Ne nuk jemi staf i madh, gjithsej me zyret regjionale jemi 74 njerëz. Avokati i Popullit nuk ka fuqi ekzekutive, fuqi ndëshkuese, për aq kohë sa nuk ekziston një ndërgjegje dhe përgjegjshmëri për të respektuar rekomandimet që vijnë nga avokati i popullit”, shtoi ajo.
Dita Botërore e Popullsisë kremtohet çdo vit më 11 korrik, ajo është një festë që i kushtohet fokusimit në rëndësinë e çështjeve demografike.


