Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, është pyetur nga gazetarët rreth publikimit të disa audio-incizimeve ku e përfshirë është shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe Slavko Simiq i Listës Serbe, derisa përmendet edhe Milan Radojiçiq.
Hovenier nuk ka pranuar të flasë shumë, por ka theksuar se Radojçiq është në Listën e Zezë të ShBA-së.
“Nuk mund të flas shumë për këtë, liderët politikë në Parlament kanë komunikim me të gjitha palët. Por Radojiçiq ju e dini se është në listë të zezë të ShBA-së”, tha ai.
Tutje, ambasadori amerikan tha se e ka të vështirë të thotë se janë afër arritjes së një zgjidhjeje për situatën në veri, përkundër takimit të djeshëm të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Hovenier kërkon koordinim: Menaxhimi i veriut është i ndjeshëm

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, tha se se situata në veri është e komplikuar dhe se mënyra se si Qeveria e Kosovës po e menaxhon është e ndjeshme.
Ai ka kërkuar koordinim më të madh të Kosovës me aleatët ndërkombëtarë, në mënyrë që sipas tij, të shmanget kriza.
“Do të thosha që SHBA-ja mbetet e përkushtuar siç ka qenë gjithmonë që ta shohë Kosovën duke arritur qëllimet e veta. Ajo që dua të them është se ne jemi prapa një Kosove sovrane, të pavarur, multietnike demokratike që zë vend në strukturat evropiane e euroatlantike”.
“Po bëjmë punë të madhe për këtë. Kjo po ashtu nënkupton që Kosova ta ushtrojë sovranitetin e saj. Veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe mënyra se si Qeveria e Kosovës menaxhon situatën është shumë e ndjeshme dhe duam të jetë shumë e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë që të shmangin momentet e krizës që pengojnë rrugën tonë të gjatë për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, ka thënë ai.