“Pse ke thënë ishalla I.. nuk del kurrë prej burgu”, gjykata shpalos detajet nga rrahja në Ferizaj

| 08 Gus 2023 | 16:49 | Nga

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.R., shtetas i Kosovës, pasi dyshohet për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamenti i Përgjithshëm, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më 30 korrik 2023, në një fshat në Ferizaj, i pandehuri në bashkëkryerje me dy të mitur, me qëllim që t`i shkaktojnë lëndime të rënda trupore, e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin M.Sh., në atë mënyrë që si rezultat i një mosmarrëveshje që kishin mes vete, sipas të pandehurit i dëmtuari i kishte thënë disa fjalë për të, po sa i pandehuri e takon në rrugë të dëmtuarin, menjëherë i drejtohet me fjalë “Pse ke thënë ishalla I.. nuk del kurrë prej burgu”, transmeton Paparaci.

Tutje thuhet se pasi i dëmtuari mohon një gjë të tillë, i pandehuri e sulmon fizikisht duke e goditur me grusht në syrin e djathë, kurse më pas fillojnë ta sulmojnë edhe dy të miturit duke e goditur në tërë trupin, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkaktojnë lëndime të rënda trupore dhe atë: frakturë në hundë dhe lëndime tjera në sy dhe pjesë të tjera të trupit, lëndime këto të përshkruar në raportin mjekësor të Qendrës Emergjente në Ferizaj.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK- së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt, dërguar mediave.

“Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”.

Të ngjashme