Ballkani do të përfitojë 200 mijë euro nga shitja e Meriton Korenicës te skuadra turke, Manisa.
Korenica ka zhvilluar ndeshjen e tij të fundit me Ballkanin mbrëmë, teksa pritet që sot të zyrtarizohet në Turqi te skuadra e Manias.
Siç raporton “Telegrafi“, Manisa do të paguaj 200 mijë euro për shërbimet e mesfushorit kosovar, ndërkaq përfitimet për Ballkanin nuk do të ndalen me kaq.
Kampioni i Kosovës do të marrë edhe 50 mijë euro bonuse në rast se Manisa arrin të inkuadrohet në Superligën e Turqisë. Përpos kësaj, Ballkani do të mbajë edhe 20% nga shitja e ardhshme e Korenicës.
Korenica ishte njëri prej lojtarëve kryesor te Ballkani. Ai ishte pjesë e skuadrës therandase tash e tre vite, me të cilët ka zhvilluar rreth 130 ndeshje.
Me Ballkanin, Korenica arriti të shpallej dy herë kampion i Kosovës dhe për dy vite me radhë arriti kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Përpos Ballkanit, Korenica është ftuar edhe nga Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet e muajit shtator.
Prezantimi i tij te skuadra turke pritet të ndodh sot gjatë ditës.
Te Manisa së fundmi është transferuar edhe ish-sulmuesi i Ballkanit, Jetmir Topalli.