Ricardo Kaka beson se Milani ka ndryshuar për të mirë pas largimit të Rafael Leaos, duke e përshkruar skuadrën e drejtuar nga Rúben Amorim si “një kolektiv”, e jo si një ekip që ndërtohej rreth një ylli të vetëm.
Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, në mëngjesin e ditës kur zhvillohet derbi i Milanos, i cili nis sonte në orën 20:45, ish-mesfushori ofensiv i “Rossonerëve” foli përmes deklaratave të publikuara nga “MilanNews”.
“Është një proces në zhvillim e sipër. Për shtatë vjet ishte Milani i Leaos, një lojtar i madh tek i cili klubi mbështetej shumë. Tani është ndryshe. Ekipi është një kolektiv me fytyra të reja dhe dy mjeshtër: Modriq është ende truri i skuadrës, pastaj është Rabiot. Ndërsa Ramos është golashënues. Do të duhet pak kohë që të gjitha këto të bashkohen. E rëndësishme është që gjithmonë të synohet lart, edhe në Ligën e Evropës”, tha Kaka.
Leao u largua drejt Galatasarayt në gusht, për shumën prej 38 milionë eurosh, pas shtatë sezonesh në “San Siro”.
Milani e zëvendësoi atë me investime të mëdha, përfshirë transferimin rekord të klubit, Gonçalo Ramos, për 73.1 milionë euro.
Braziliani u ndal edhe te sezoni i kaluar, kur Milani mbeti pa kualifikim në Ligën e Kampionëve në xhiron e fundit, pas humbjes në shtëpi ndaj Cagliarit.
“Besoj se të gjithë tifozët prisnin kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Ishte rënie fizike apo mendore? Ndoshta pak nga të gjitha. Kur fillon të humbasësh vetëbesimin, gjithçka ndryshon. Tani synimi duhet të jetë rikthimi në garën më të rëndësishme evropiane. Liga e Kampionëve është diçka e veçantë”, u shpreh ai.
Milani hyn në ndeshjen e sontme nga pozita e pestë me 18 pikë, shtatë më pak se Interi, pas humbjes 4-2 në shtëpi ndaj Bolognas të mërkurën.
Kaka, i cili e shënoi golin e tij të parë për Milanin në një derbi në vitin 2003, veçoi lojtarët që mund ta bëjnë dallimin.
“Modric dhe Rabiot janë mjeshtër, ata mund ta kontrollojnë lojën dhe ta përcaktojnë ritmin e saj. Pulisic më mahnit me inteligjencën e tij, ndërsa Gonçalo është golashënues. Sa i përket Interit, çfarë mund të them? Është një ekip i qëndrueshëm, solid dhe ka shumë rreziqe”, përfundoi ai.