Sogojeva-Dermaku: 80% e institucioneve ofrojnë qasje në dokumentet zyrtare kur dërgojmë shkresë – Kur gjobiten e bëjnë të kundërtën

| 01 Jan 2024 | 09:30 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

80 për qind e ankesave që adresohen në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP) për qasje në dokumente zyrtare u përgjigjen qytetarëve në momentin që ky institucion dërgon shkresë njoftuese. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, komisionerja e AIP-së, Krenare Sogojeva-Dermaku.

Komisionerja ka folur për numrin e ankesave për marketing të drejtpërdrejtë, teksa sheh se ka progres të bizneseve në këtë drejtim.

Sogojeva-Dermaku ka thënë se në momentin kur institucionet gjobiten, atëherë nuk ofrohet qasja për dokumentet publike. Kësisoj, ky institucion sipas saj po i ndërmerr masat e nevojshme për të realizuar të drejtën e qytetarëve.

“Ajo çka është shumë e rëndësishme është fakti që 80 për qind të ankesave që adresohen në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe kjo shifër nuk është duke lëvizur as nga viti i kaluar se të njëjtën shifër e kishim edhe vitin e kaluar, i përgjigjën kërkesave të qasjes, pra ofrojnë qasje për qytetarin në momentin kur Agjencia i drejtohet me shkresën njoftuese, pa pasur nevojë që AIP-ja të nxjerrë vendim detyrues ndaj tyre apo edhe vendim gjobitës. Në të gjitha rastet kur nxjerrim vendim gjobitës, qasja nuk ofrohet, prandaj AIP-ja tenton vazhdimisht t’i përdor mekanizmat e vet ligjor, në mënyrë që të realizojmë të drejtën e qytetarit për qasje në dokumentet publike”, ka thënë Sogojeva-Dermaku.

Duke folur për ankesat e qytetarëve për marketing të drejtpërdrejtë, Sogojeva-Dermaku, ka thënë se ka rënie të numrit. Sipas saj, edhe bizneset kanë arritur të vetëdijesohen.

“Është me rëndësi që të cekët se nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, këtë vit numri i ankesave për marketing të drejtpërdrejt është në rënie. Ka një ndërgjegjësim të kontrolluesve privat sepse kanë qenë privatët ata që e kanë bërë këtë marketing. Kemi arrit që përmes Odave Ekonomike t’i shpërndajmë formularët e pëlqimit, për çka edhe i ka ndihmuar bizneset që të mos bëjnë përpunimin e të dhënave në kuptimin e marketingut të drejtpërdrejt pa marrë pëlqimin e qytetarëve por gjithsesi kemi pasur ankesa të natyrës së tillë. Disa kanë rezultuar që e kanë dhënë pëlqimin por thjesht qytetari e ka harruar se ka dhënë pëlqimin. Kështu që jo në mënyrë të kënaqshme por kemi një progres sa i përket ndërgjegjësimit për mbrojtjen e të dhënave personale nga ana e marketingut të drejtpërdrejtë”, ka thënë ajo.

Ndonëse operojnë me një staf të pamjaftueshëm, Sogojeva-Dermaku ka deklaruar se AIP-ja i ka përmbushur objektivat e saja të parapara në planin e performancës. Si të arritur gjatë vitit 2023, ajo e konsideron anëtarësimin e institucionin të saj në Organizatën Frankofone për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi ka arrit që të përmbush objektivat e saj të parapara në planin e performancës për vitin 2023. Ajo çka dua të përmend është edhe anëtarësimi i Agjencisë në Organizatën Frankofone për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që normalisht ka hapë një rrugë të re për të qenë pjesë e mekanizmave ndërkombëtar për sa i përket zbatimit të rregullativës evropiane në raport me mbrojtjen e të dhënave personale”.

“Nëse e marrim në përgjithësi, AIP-ja me një numër të kufizuar të stafit që e ka përkundër procedurave të rekrutimit që i kemi në vazhdim, mbetet me staf të paplotësuar ende që konsiderojmë që do ta kemi sfidë të vazhdueshme edhe për vitin 2024, për vetë faktin se procedurat (rekrutuese) janë të tejzgjatura por kjo normal nuk e justifikon nëse Agjencia nuk arrin me kryer një punë si duhet, përkundrazi kemi arrit t’i përmbushim obligimet tona”, u shpreh ajo.

Të ngjashme