Instituti Prevent dënon sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, kërkon nga ndërkombëtarët të ushtroj presion mbi Serbinë

| 01 Dhj 2024 | 13:36 | Nga

Instituti për Siguri dhe Reziliencë ka reaguar ndaj shpërthimit të kanalit kryesor të Ibër Lepencit në fshatin Vragë të komunës së Zubin Potokut, e cila dënon ashpër ‘sulmin sabotues dhe terrorist të kryer’, raporton Ekonomia Online.

Përmes një komunikate për media, ky institut ka thënë se ‘ky sulm i kryer nga grupet ekstremiste serbe paraqet një akt të rëndë terrorist dhe sabotues kundër një objekti të infrastrukturës kritike të Kosovës, i cili ka rëndësi jetike për furnizimin me ujë të rajonit të Mitrovicës dhe Prishtinës, si dhe për operacionet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK)’.

“Sipas të dhënave zyrtare, sulmi ishte i qëllimshëm dhe synonte përhapjen e frikës dhe panikut në mesin e popullatës së Kosovës, duke tentuar gjithashtu destabilizimin e sigurisë në vend. Policia e Kosovës dhe mekanizma të tjerë të sigurisë kanë vlerësuar se sulmi ishte tejet i rëndë dhe i mire organizuar, me synim shkaktimin e dëmeve të mëdha ekonomike dhe energjetike në vend, si dhe ndërprerjen e qasjes së qytetarëve në ujë të pijshëm. Një sulm i tillë kompleks, është përgatitur, organizuar dhe ekzekutuar është kryer me përfshirjen e individëve ose grupeve të trajnuara për veprime sabotuese të sofistikuara, të cilat dyshohen se janë trajnuar nga struktura shtetërore të Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Instituti Prevent ka mbështetur institucionet vendore të sigurisë dhe kërkon një hetim të plotë e të paanshëm për të identifikuar autorët e këtij sulmi, të cilët duhet të përballen me forcën e ligjit.

Gjithashtu, instituti bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të tjera shtetërore, që të përshpejtojnë procedurat për krijimin e mekanizmave të duhur shtetëror për zbatimin e plotë të ligjit mbi mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Po ashtu Instituti Prevent bën thirrje ndaj bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi Serbinë për të ndaluar mbështetjen ndaj grupeve terroriste.

“Këto grupe, të cilat dyshohet se po mbështeten përmes trajnimeve, financave dhe armatimit, janë përgjegjëse për kryerjen e sulmeve terroriste në territorin e Kosovës”, thuhet tutje.

Tutje, në komunikatë thuhej se një qëndrim i qartë dhe i vendosur nga partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve dhe për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Në fund, Instituti Prevent apelon te të gjithë qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe të besojnë në kapacitetet e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë për menaxhimin e situatës.

Të ngjashme