KDI: Refuzimi i Kryeministrit për të dëshmuar cenon sundimin e ligjit

Prishtinë | 03 Mar 2025 | 16:51 | Nga Ekonomia Online

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpreh shqetësim për refuzimin e Kryeministrit, Albin Kurti, për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale në rastin e njohur si “Rezervat Shtetërore”.

KDI thekson se ky veprim sfidon parimin e sundimit të ligjit dhe barazisë para ligjit, duke krijuar një precedent të rrezikshëm që mund të përdoret nga zyrtarët e tjerë për të shmangur rregullat ligjore.

Instituti apelon që Kryeministri të paraqitet pa kushte për të dhënë dëshminë e kërkuar, për të forcuar besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore dhe për të treguar se askush nuk është mbi ligjin.

“Insistimi i Kryeministrit për të diktuar kushtet e dhënies së dëshmisë – duke këmbëngulur që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij dhe jo në ambientet e Prokurorisë – krijon një precedent të rrezikshëm dhe bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi. Sundimi i ligjit nënkupton se askush, pavarësisht pozitës apo funksionit, nuk gëzon trajtim të veçantë përballë institucioneve të drejtësisë. Nëse kreu i Qeverisë mund t’i shmanget thirrjeve të Prokurorisë apo të vendosë vetë se ku do të japë dëshmi, atëherë edhe zyrtarëve të tjerë publikë apo qytetarëve të zakonshëm do tu krijohen mjaftueshëm alibi për ta legjitimuar këtë praktikë.

Në një demokraci të mirëfilltë ku zbatohet parimi i balanceve dhe kontrolleve midis pushteteteve, udhëheqësit institucionalë kanë përgjegjësinë të japin shembullin më të mirë në respektimin e ligjit. Roli i Kryeministrit nuk është të vërë në pikëpyetje apo të negociojë zbatimin e procedurave ligjore, por të tregojë se askush – as vetë ai – nuk është mbi ligjin. Duke refuzuar të paraqitet në Prokurori sipas kërkesës zyrtare, Kryeministri bie ndesh me pritshmëritë e qytetarëve për llogaridhënie dhe transparencë. Për më tepër tani që procesi zgjedhor, në aspekt të votimit, veçse ka përfunduar, dhënia e dëshmisë nga ana e Kryeministrit nuk prodhon asnjë efekt elektoral kundrejt tij apo subjektit që ai përfaqëson”, thuhet në njoftim. 

Të ngjashme