Qytetarë të shumta nga e gjithë trevat shqiptare, destinacion të tyre të mërkurën e kishin Prekazin, në nderim të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Nazmi Çollaku tha se ka udhëtuar nga Prizreni për t’i nderuar familjen Jashari, teksa këtë vizitë e quajti “sevape”.
“Kjo për ne do të thotë ditë paqësore dhe siç themi ne të vjetrit ‘sevape’ me i vizitua këtë familje të nderuar. Kam ardhur prej Prizrenit veç me i vizitua këtë familje”.
Për të shënuar këtë ngjarjeje historike kishin ardhur edhe nxënës të shumtë. Ndër ta ishin edhe nga Shkolla Fillore “Gjergj Fishta” nga Seniku i Malishevës
“Jemi shumë krenarë që kemi ardhur me nxënësa dhe meritojnë për gjakun e këtyre dëshmorëve”, tha Fazli Januza, mësimdhënës në këtë shkollë.
Ndërsa Sefer Spahiu nga Runiku i Skenderajt, Prekazin e quajti vend të shenjtë dhe burim i pavarësisë.
“Çdo herë kemi nderin të vijmë këtu në këtë vend të shenjtë, në këtë vend të pavarësisë, se këtu është baza e themeli i këtij shteti në këtë vend. Është një ditë jashtëzakonisht e madhe, kjo do të thotë për ne se frymojmë lirshëm dhe jo vetëm ne por i edhe i gjithë kombi shqiptar kudo që është”, u shpreh ai.



