Kurti për Epopenë e UÇK-së: Duke kujtuar heroizmin e familjes Jashari e kemi të ardhmen e sigurt

Prishtinë | 06 Mar 2025 | 19:34 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore për 27-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, theksoi rëndësinë e ngjarjeve historike që ndikuan në rrjedhën e zhvillimeve të popullit shqiptar, raporton Ekonomia Online.

Kurti përmendi luftën heroike të familjes Jashari, duke e cilësuar si momentin që elektrizoi dhe mobilizoi masivisht popullin shqiptar për të luftuar për lirinë e Kosovës.

“Në jetën e çdo populli që ka ngjarja që e ndajnë kohën më dysh, periudha që pason ngjarjen nuk mund të jetë njëlloj si koha që i ka paraprirë asaj. Sepse ka ndërruar rrjedha e zhvillimit ose është përshpejtuar tendeca historike e popullit. Për shqiptarët në Kosovë dhe përtej një ngjarje e tillë ishe lufta epike e familjes Jashari në fillimin e marsit të vitit 1998. Rënia heroike e Adem Jashari dhe flijimi i 58 familjarëve prej Blerinës 7 vjeçare deri tek bac Jashari 74 vjeçar ishte sikur shok elektrizues që përshkoj të gjitha qelizat e trupit të popullit shqiptar”, ka thënë Kurti.

Ai theksoi se ndërsa Serbia vazhdon të refuzojë të pranojë fajin për krimet e saj, Kosova dhe populli shqiptar nuk mund të harrojnë as luftën çlirimtare, as viktimat civile dhe veçanërisht Epopenë e UÇK-së.

“Përkundër efektit terrorizues që synonte Serbia rezultati ishte mobilizimi masivë dhe i menjëhershëm në radhët e UCK-së që deri atëherë nuk njihet mjaftueshëm por u bë i njohur dhe sinonim për njëri-tjetrin. Adem Jashari kryekomandanti i UCK-së do të mbetet përjetë. Përmes përmendjes dëshmorëve të këtyre familjeve kujtojmë dhe nderojmë të gjithë luftëtarët dhe viktimat e shoqërisë civile të gjenocidit të Serbisë. Si mund të ketë pajtim pa pranim të fajit si mund të ketë faje nga ana e viktimës ku agresori jo vetëm që nuk kërkon falje zotohet ta përsërisë krimin në rastin e parë që do ti jepet. Serbia nuk është shëruar nga kompleksit të Kosovës, që e ka quar atë disa gjenocide t’i shkaktojë jo vetëm në tokën tonë por edhe në Ballkan”, ka thënë ai.

Ai shtoi se vetëm duke ruajtur kujtimin e këtyre ngjarjeve, Kosova mund të sigurojë një të ardhme të ndritshme.

“Ne e kemi detyrë ta kujtojmë ne nuk mund të harrojmë as luftën çlirimtare as viktimat civile e posaçërisht nuk mund ta harrojmë Epopenë e UCK-së, duke mos e harruar ne kemi të ardhme të sigurte dhe të ndritshme”, shtoi Kurti.

Tutje, i kreu i Qeverisë theksoi se përgjatë katër viteve të kaluara i është përmbajtur planit të NATO-s, për investim në Ushtri.

“Horizonti i së ardhmës po errësohet nga retë e zeza nga lufta që po ndodh në Ukrainë. Në katër vitet e kaluara në e kemi përmbushur kuotën e Nato-s për investim në ushtri. Përpjekja jonë për sigurinë dhe paqe do të vazhdoj me investim në siguri, duke llogaritur në aleancën me ShBA-në, BE-në, Turqinë e Kanadanë. Kosova mbetet e përkushtuar jo vetëm për të përfituar por edhe për të ndihmuar për paqen në Evropë. Kosova nuk është ajo që veç konsumon nga siguria në europë, por që edhe kontribuon për këtë siguri. Kosoa mëton të anëtarësohet edhe në BE edhe në NATO”, tha Kurti.

“Nderojë të gjithë që me uniformë e pa uniformë kanë kontribuar për lirinë tonë dhe Republikën e Kosovës, Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, Lavdi familjes Jashari!” theksoi ai.

Të ngjashme