Rritja e çmimeve të energjisë elektrike është rezultat i një kombinimi faktorësh, të cilët, vit pas viti, kanë çuar në shtrenjtimin e faturave që qytetarët pranojnë nga KESCO. Që nga viti 2013 deri në vitin e kaluar, çmimi mesatar i energjisë elektrike në Kosovë ka treguar një rritje të vazhdueshme. E cila përfaqëson një rritje prej rreth 57.5% gjatë një periudhe 11-vjeçare, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi ekonominë e qytetarëve dhe bizneseve në vend. Edhe pse akoma nuk ka një njoftim zyrtar, por pritet që nga 1 prilli i këtij viti të ketë një tjetër rritje të çmimeve të energjisë elektrike. Këto zëra lidhur me rritjen e çmimeve kanë shkaktuar reagime nga sektorë të ndryshëm të biznesit, veçanërisht nga sektori i prodhimit. Gjithashtu, edhe vetë qytetarët, si konsumatorë, kanë shprehur reagime të shumta.
Edhe pse të gjitha këto reagime janë të justifikueshme, megjithatë duhet të kuptohet arsyeja e rritjes së çmimeve. Rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë nuk varet vetëm nga faktorët e brendshëm, pasi vendi është i varur nga importi i energjisë nga vendet tjera. Ndër të tjera, krizat globale të energjisë, si ajo e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të importit. Nga ana tjetër, rritja e inflacionit në tregjet ndërkombëtare po ashtu ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve në Kosovë, si pasojë e varësisë nga importet. Rritja e çmimeve në Kosovë është ndikuar fuqishëm nga faktorë të jashtëm, kryesisht për shkak të çrregullimeve në zinxhirin global të furnizimit. Sidoqoftë, nuk mund të injorohen edhe faktorët e brendshëm. Në mesin e faktorëve të brendshëm është rritja e konsumit të energjisë nga qytetarët dhe bizneset, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, që ka shtuar presion të konsiderueshëm në rrjetin energjetik. Si rrjedhojë, kjo ka detyruar importimin e energjisë me kosto më të larta, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet për konsumatorin. Nga ana tjetër, sistemi energjetik në Kosovë është i vjetëruar dhe kërkon investime të vazhdueshme për mirëmbajtje, gjë që rrit shpenzimet e përgjithshme. Gjithashtu, pamundësia për të bërë investime afatgjata në kapacitete të reja
prodhuese ka çuar në një varësi të shtuar nga importi. Pa dyshim, faktorë të ndryshëm mund të ndikojnë në rritjen e çmimeve, por në afat të gjatë, kjo rritje mund të shkaktojë probleme si për ekonominë, ashtu edhe për qytetarët e vendit. Në vazhdim, kemi shfaqur disa nga pasojat e mundshme që mund të shfaqen si rezultat i rritjes së mëtejshme të çmimeve.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike ndikon drejtpërdrejt në shpenzimet operative të bizneseve, veçanërisht të kompanive prodhuese, duke i detyruar ato të shtrenjtojnë produktet e tyre. Kjo rritje çmimesh po ashtu çon në përshpejtimin e inflacionit, ul fuqinë blerëse të qytetarëve dhe
ushtron presion mbi ekonominë. Këto rritje nuk ndikojnë vetëm tek konsumatorët (familjet), por sjellin sfida edhe për ndërmarrjet vendore. Rritja e çmimeve mund të ulin fuqinë konkurruese të ndërmarrjeve në tregun vendor dhe ndërkombëtar, duke i bërë produktet e importuara më tërheqëse për shkak të çmimeve më të volitshme. Nga ana tjetër, si pasojë e inflacionit, qytetarët janë të detyruar të ulin konsumin, duke ngadalësuar qarkullimin ekonomik dhe potencialisht ulur aktivitetin e përgjithshëm ekonomik. Në këtë situatë, shtresa me të ardhura të ulëta preket më së
shumti nga rritja e kostos së jetesës, gjë që mund të thellojë varfërinë dhe të shkaktojë probleme nga më të ndryshmet. Prandaj, çdo vendim për rritjen e tarifave të energjisë elektrike duhet të vlerësohet me kujdes duke marrë parasysh pasojat e mundshme dhe duke siguruar mekanizma mbrojtës që zvogëlojnë ndikimin negativ në ekonomi dhe mirëqenien e qytetarëve.
Nga ana tjetër, qeveria ka ndërmarrë masa të ndryshme për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë elektrike. Ajo ka financuar blerjen e mjeteve më efiçiente për ngrohje gjatë dimrit, si për familjet ashtu edhe për ndërmarrjet. Gjithashtu, ka subvencionuar faturat e energjisë për familjet me të ardhura të ulëta dhe ka mbështetur financiarisht izolimin e shtëpive me efikasitet të ulët energjetik. E gjithë kjo është bërë me synimin për të kursyer energjinë elektrike dhe për të ndihmuar si familjet, ashtu edhe bizneset. Megjithatë, këto masa nuk janë të mjaftueshme për të ndalur rritjen e çmimeve të energjisë elektrike në Kosovë. Për një zgjidhje afatgjatë, është e nevojshme masa të tjera strategjike që do të ndihmojnë në stabilizimin e tregut energjetik dhe uljen e varësisë nga importi.
Për të minimizuar pasojat e rritjes së çmimeve, është e nevojshme të organizohen takime me ekspertë të fushës dhe grupe të interesit, të cilët mund të kontribuojnë në përcaktimin e çmimeve të reja të energjisë elektrike. Përveç kësaj, duhet të hartohen strategji për diversifikimin e burimeve të energjisë, duke eksploruar alternativa të qëndrueshme si burimet e ripërtëritshme, përfshirë energjinë diellore dhe atë të erës. Këto masa do të ndihmonin në uljen e varësisë nga duke rritur njëkohësisht kapacitetet e prodhimit vendas dhe sigurinë energjetike të vendit.