Kryeministri flet për të arritura të jashtëzakonshme, opozita e quan përkeqësim të situatës ekonomike dhe sociale

Prishtinë | 26 Mar 2025 | 14:40 | Nga Gzim Mujaj

Derisa kryeministri Albin Kurti në mbledhjejn e së mërkurës vlerëson qeverisjen e tij si të suksesshme, duke folur për arritje “të jashtëzakonshme”, pavarësisht nga pengesat në Kushtetuese dhe zhurmës së debateve, opozita ka një qëndrim krejt ndryshe. Arton Demhasaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se realiteti në terren tregon një përkeqësim të situatës ekonomike dhe sociale në vend.

Demhasaj për Ekonomia Online ka thënë se qeveria Kurti nuk ka arritur të sjellë një zhvillim të ndjeshëm ekonomik, ndërsa papunësia mbetet një problem i madh.

“Po mendoj që në përgjithësi mënyra më e mirë për ta matur qeverisjen katërvjeçare të Kurtit është nëse i shohim sukseset ose mossukseset në praktikë. Nëse e shohim gjendjen ekonomike është shumë më e keqe sesa ka qenë para katër vjetësh. Gjendja sociale po ashtu është më e keqe, për shkak se përditë qytetarët e Kosovës ballafaqohen në treg me çmime të larta, njëkohësisht me çmime  të larta të energjisë elektrike e në anën tjetër pagat kanë mbetur ato që kanë qenë ose edhe më të vogla. Kjo në njëfarë mënyre tregon që jeta sociale në Kosovë nuk është përmirësuar, por është keqësuar. Sa i përket zhvillimit ekonomik nuk mund të them që ka ndonjë zhvillim të hovshëm ekonomik në Kosovë, derisa e shohim që numri i të papunëve është shumë i madh. Nuk ka pasur realizim të projekteve kapitale gjatë këtyre katër vjetëve që kanë qenë të premtuara në fushatë”, ka thënë ai.

Kritikat ndaj qeverisë nuk ndalen vetëm te menaxhimi ekonomik, por edhe te mënyra se si trajtohen emërimet publike, veçanërisht kur bëhet fjalë për individë të lidhur me raste të korrupsionit. Rasti i fundit i emërimit të Irfan Lipovicës, i cili dyshohet për keqpërdorime në rastin e rezervave shtetërore, si drejtor i Agjencisë së Akreditimit, ka ngritur shqetësime për standardet e qeverisë Kurti në emërimin e zyrtarëve.

Demhasaj rikujton premtimet e Vetëvendosjes kur ishte në opozitë dhe e cilëson këtë praktikë si të papranueshme.

“Në parim është prezumimi i pafajësisë është parim kushtetues që derisa nuk shpallësh i fajshëm konsiderohesh i pafajshëm. Mirëpo në rast se kthehemi mbrapa se çka ka thënë VV-ja kur ka qenë në opozitë, pra gjithmonë kanë qenë ithtarë edhe me ngulm e kanë përmendur që njerëzit që janë të akuzuar për vepra penale që lidhen me korrupsionin nuk duhen në asnjë mënyrë të mbeten në ushtrim të funksioneve publike. E kur i shohim tash në praktikë e bëjnë të kundërtën. Pikërisht njerëzit që thjesht akuzohen për korrupsion ose janë në mbajtje apo paraburgim këta vazhdimisht i mbrojnë e jo vetëm që i mbrojnë, por i shpërblejnë me pozita të larta publike. Kjo është praktikë e keqe dhe duhet të ndalet”, ka thënë ai.

LEXO EDHE:

Të ngjashme