Mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën sot në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fatih” në Prishtinë për të falur namazin e Fitër Bajramit. Gjatë kësaj dite festive, qytetarët shprehën urimet e tyre dhe reflektuan për rëndësinë e kësaj feste, raporton Ekonomia Online.
Faik Ajvazi u lut për ata që ndodhen larg, duke iu referuar drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në paraburgim në Hagë.
“Kemi kaluar lehtë për Ramazan. Ka qenë koha e mirë shumë. Na ka ndihmuar shumë. Shpresoj që Zoti ka bërë kabull. Urime festa mbarë familjes suaj dhe të gjithë qytetarëve. Kjo është ditë që nuk harrohet asnjëherë. Njeriu kur është me fenë e vet e kupton dhe e mban sa ka mundësi. Kjo nuk harrohet derisa të vdes. I lumi ai që mund të punojë, të gjallërojë, të ruajë familjen dhe të mbajë shoqërinë si duhet mbajtur. E kam një lutje për ata shokët tanë që na i mbajnë pa nevojë. Shpresoj se Zoti u ndihmon, i liron dhe vijnë sa më shpejt në vendin e tyre, sepse na mungojnë”, tha Ajvazi.
Riza Syla e vlerësoi Ramazanin si një periudhë të lehtë dhe u lut për paqe dhe përfundim të dhunës.
“Shumë mirë e kemi kaluar. Ka qenë ramazan i mirë, i lehtë. Më mirë nuk ka se si. U uroj të gjithëve të besimit islam Fitër Bajramin. Urime për shumë vite më të mira dhe me gëzime. Lus që për këto vrasje. Shpresoj vijmë në vete, sepse shumë dëme të mëdha janë këto”, tha Syla.
Bedredin Karabek shfaqi dëshirën për një Bajram më të këndshëm dhe paqësor në të ardhmen, duke kërkuar ndalimin e dhunës.
“I uroj të gjithë për Fitër Bajrami. dhe në të ardhmen një Bajram më të këndshëm dhe me suksese dhe të ndalohet kjo dhunë që është duke u bërë këtu tek ne”, tha Karabek./Ekonomia Online/


