Ajo që i ndodhi Jasper Cillessen gjatë ndeshjes mes Celta Vigos dhe Las Palmas është vërtet e tmerrshme. Portieri u largua nga fusha me barrelë pas një përplasjeje me Borja Iglesias dhe u transportua menjëherë në spital, pasi iu konstatua një perforim i zorrës. Një situatë që fillimisht dukej e zakonshme, por që përfundoi me një operacion urgjent për të trajtuar traumën e rëndë abdominale të pësuar në përpjekje për të ndalur topin para portës së tij.
Sipas raportimeve të radios “SER”, lojtari i Las Palmas u operua gjatë natës, pasi kishte ndjerë për një kohë të gjatë dhimbje në zonën e barkut pas përplasjes me kundërshtarin. Askush nuk e kishte imagjinuar një dëmtim kaq serioz, por në fund ndërhyrja kirurgjikale ishte e domosdoshme për të shmangur pasoja edhe më të rënda.