Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, së bashku me Steve Witkoff, dërguarin e veçantë të presidentit Donald Trump, takohen sot në Paris për një raund të ri bisedimesh lidhur me luftën në Ukrainë, njoftoi Departamenti i Shtetit.
Në takim do të marrë pjesë edhe Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, çka e bën këtë një nga nivelet më të larta të angazhimit transatlantik që nga muaji shkurt.
Muajt e fundit, SHBA ka treguar një ngurrim për t’u koordinuar ngushtë me partnerët evropianë, por takimet e sotme sinjalizojnë një kthesë të mundshme në qasjen diplomatike të Uashingtonit.
Witkoff dhe Rubio do të takojnë presidentin francez Emmanuel Macron dhe ekipin e tij. Më vonë, Sekretari Amerikan i Shtetit pritet të zhvillojë bisedime të përbashkëta me Lammy dhe përfaqësuesit francezë dhe gjermanë, ndërsa në diskutime do të përfshihen edhe këshilltarët evropianë të sigurisë kombëtare.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se fokusi kryesor i këtyre bisedimeve do të jetë gjetja e një rruge për ndalimin e luftimeve, ndërsa Witkoff do të raportojë mbi takimin e tij të fundit me presidentin rus Vladimir Putin.
Ndërkohë, diplomatë evropianë theksuan se do t’i kërkojnë SHBA-së të rrisin presionin ndaj Rusisë për të pranuar një armëpushim pa kushte.