Supremja refuzon kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të dënuarit për fajde i mbetet në fuqi dënimi me 2 vjet e 6 muaj burgim

Prishtinë | 01 Maj 2025 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga mbrojtja e të dënuarit Artan Gjocaj, kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin i akuzuari ishte dënuar me 2 vite e gjashtë muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për fajde.

Përmes vendimit të 23 marsit 2023, Gjykata Themelore në Pejë, e kishte dënuar Gjocajn me dy vite e gjashtë muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë, si dhe ishte obliguar për kthimin e parave të marra me kamatë në shumën prej 24 mijë e 700 euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Apeli kishte ndryshuar aktgjykimin e Themelores vetëm sa i përket konfiskimit dhe detyrimit për kompensimin e të dëmtuarit, ku vlera e konfiskimit prej 11 mijë e 700 euro i kthehet të dëmtuarit Rifat Jasiqi, ndërsa për pjesën e mbetur prej 13 mijë e 700 euro obligohet i akuzuari t’ia paguajë të dëmtuarit. Pjesa tjetër e aktgjykimit mbeti e pandryshuar.

Ndaj këtyre vendimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kishte ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Gjocaj, avokati Gëzim Kollçaku, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal dhe shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale, me arsyetimin se kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor.

Kollçaku i kishte propozuar Gjykatës Supreme ta aprovojë kërkesën si të bazuar, duke anuluar aktgjykimet e kundërshtuara dhe lëndën ta kthejë në rigjykim në shkallën e parë.

Përgjigje ndaj kërkesës së mbrojtjes ka ushtruar prokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, me propozimin që kërkesa e mbrojtësit të refuzohet si e pabazuar. Njëjtë kishte propozuar edhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, përmes një shkrese.

Kështu, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit të përpiluar më 15 prill 2025, gjeti se kërkesa e mbrojtjes është e pabazuar. Kjo Gjykatë gjen se aktgjykimi i Themelores, i cili është vërtetuar edhe nga Apeli nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të pretenduara nga mbrojtja.

Aty thuhet se shkalla e parë ka dhënë arsye të qarta se pse periudha kohore e cekur në fjalën përfundimtare të prokurorit nuk përkon me provat e administruara, prandaj në bazë të provave (dëshmia e të dëmtuarit në Polici dhe provave- fletorja e zezë në të cilën ishin shënuar 13 rata që i janë paguar të dënuarit shuma joproporcionale prej 1 mijë e 900 euro), e ka vërtetuar periudhën kohore të ndërmarrjes së veprimeve inkriminuese. Prandaj, sipas Supremes pretendimet në këtë drejtim janë të pabazuara.

“Në fakt në rastin konkret periudha inkriminuese është ndryshuar në favor të dënuarit, sepse është shkurtuar periudha kohore e pagesës së shumës jo proporcionale të cilën e ka përfituar i dënuari”, thuhet në vendim.

Gjithnjë sipas Supremes, ekspertiza grafologjike është bërë për të vërtetuar pretendimet e mbrojtjes së Gjocajt se nënshkrimet në fletore nuk janë të të dënuarit dhe djalit të tij, ngase sipas të dëmtuarit me rastin e pagesës së shumës joproporcionale herë është nënshkruar në fletore i dënuari e herë djali i tij. Andaj, sipas kësaj gjykate, i pabazuar është pretendimi se gjykata e ka keqinterpretuar ekspertizën grafologjike.

“…kurse sipas vlerësimit të këtij kolegji konstatimi dhe mendimi i tij është në harmoni me parimet shkencore, përvojën profesionale, pra, mendimin dhe konstatimin e tij se nënshkrimet e të dënuarit dhe djalit të tij, e mbështet edhe kjo gjykatë, e përveç kësaj eksperti ka dhënë arsye të qarta se në cilat raste mund të përdoret termi “mund të jetë shkruar”, duke shpjeguar se në rastin konkret “shkrimi ka qenë i vështirë për tu eksperimentuar pasi ka qenë i vogël dhe i ngushtë”, thuhet në vendim.

Të pabazuara, shkalla e tretë i gjeti edhe pretendimet se aktgjykimet e shkallëve më të ulëta mbështeten në prova të papranueshme.

“Përveç kësaj, kjo gjykatë i gjen si të pabazuara edhe pretendimet se provat e paraqitura nga i dëmtuari 7 faqe mesazhe të shkruara nga i dëmtuari dhe të dërguara në telefonin e të dënuarit të cilat gjykata i ka administruar dhe falë besimin janë të papranueshme”, thuhet në vendimin e Supremes.

Sipas kësaj Gjykate, mesazhet e shkruara nga i dëmtuari dhe të dërguara në telefonin e të dënuarit nuk janë prova thelbësisht të pambështetshme ngase dihet origjina e provës, kështu as mbrojtja nuk i vë në dyshim por thekson se janë siguruar pa kurrfarë urdhërese të gjykatës.

Supremja vlerëson se mbrojtja nuk ka konkretizuar se cila dispozitë e Ligjit Penal është shkelur. Aty thuhet se sipas paragrafit 2 të nenit 112 të Kodit të Procedurës Penale (i cili ishte në fuqi në kohën kur është bërë kontrolli i shtëpisë së të dënuarit) bëhet fjalë për urdhër të prokurorit të shtetit për kufizim të përkohshëm, që sipas shkresave të lëndës nuk rezulton se është tejkaluar afati i theksuar në këtë dispozitë.

As supozimi se urdhri i prokurorit të shtetit ka zgjatur më shumë se pesë ditë, Supremja thekson se nuk paraqet shkelje të rëndë të dispozitave të procedurës penale, që do të ndikonte në ligjshmërinë e aktgjykimeve (ngase ligji nuk parasheh pasoja për mosrespektim të këtij afati) që do të kishte ndikim në pranueshmërinë e provave të marra gjatë kontrollit.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate pretendimet në kërkesë nuk e venë në dyshim saktësinë e fakteve vendimtare të vërtetuara me aktgjykimet kundër të cilave është paraqit kërkesa, kurse, meqë gjykatat në këtë drejtim kanë dhënë arsye të qarta, kjo gjykatë nuk e sheh të nevojshme të bëjë vlerësime të tjera në këtë drejtim, pra, kjo gjykatë e mbështet konklufimin e gjykatave se në veprimet e të dënuarit qëndrojnë elementet e veprës penale për të cilën është shpall fajtor dhe dënuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Andaj, kërkesa e mbrojtjes u refuzua si e pabazuar.

Në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Pejë, më 17 maj 2019, në mungesë të provave, Gjocajn e kishte liruar nga akuza për fajde.

Por, Gjykata e Apelit më 9 shtator 2019, e ka konsideruar si të paqartë dhe në shkelje të dispozitave të procedurës penale aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin ishte shpallur i pafajshëm i akuzuari dhe anuloi aktgjykimin e Themelores.

Në gjykimin e dytë, Gjocaj më 23 mars 2023 ishte shpallur fajtor për fajde nga Gjykata Themelore në Pejë, duke u dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë, si dhe ishte obliguar për kthimin e parave të marra me kamatë në shumën prej 24 mijë e 700 euro.

Kurse, më 31 tetor 2023, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë ndaj të akuzuarit Gjocaj, vetëm sa i përket konfiskimit dhe detyrimit për kompensimin e të dëmtuarit, ku vlera e mjeteve të konfiskuara prej 11 mijë e 700 euro duhej t’i kthehet të dëmtuarit Rifat Jasiqi, kurse pjesa e mbetur e kërkesës pasurore-juridike prej 13 mijë e 700 euro t’i paguhet nga i akuzuari Gjocaj.

Kurse, Gjykata Supreme më 1 shkurt 2024 ka miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtjes së të dënuarit për fajde Artan Gjocaj, duke anuluar vendimin e shkallës së dytë dhe e ktheu rastin në rigjykim në Apel.

Gjykata e Apelit më 19 prill 2024, në rigjykimin ndaj të akuzuarit për fajde Artan Gjocaj (Ramë Mushkolaj), ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë vetëm sa i përket konfiskimit dhe detyrimit për kompensimin e të dëmtuarit, ku vlera e konfiskimit prej 11 mijë e 700 euro i kthehet të dëmtuarit Rifat Jasiqi, ndërsa për pjesën e mbetur prej 13 mijë e 700 euro obligohet i akuzuari t’ia paguajë të dëmtuarit. Pjesa tjetër e aktgjykimit mbeti e pandryshuar.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 30 nëntor 2017, i pandehuri Artan Gjocaj akuzohej se gjatë periudhës 13 mars 2015 e deri më 29 janar 2016 në Deçan, ka shfrytëzuar mendjelehtësinë e të dëmtuarit Rifat Jasiq, me qëllim që të përfitojë pa asnjë angazhim duke kontraktuar kamatë joproporcionale për borxhin e dhënë.

Sipas akuzës, pasi të dëmtuarit i kishte arritur për pagesë shuma prej 140 mijë euro nga “ProCredit Bank”, i njëjti ka kërkuar hua nga i akuzuari Gjocaj për ta shlyer kreditin, në mënyrë që pastaj me kredi tjetër t’ia kthejë huanë të akuzuarit. Kurse, i pandehuri thuhet se pasi ia kishte dhënë shumën prej 45 mijë eurove, me kusht kthimi prej një muaji, në momentin kur i dëmtuari nuk ka pasur mundësi ta kthejë këtë shumë brenda këtij afati, i pandehuri ka kërkuar dhe pranuar për çdo muaj vonesë 4.2 %, gjegjësisht 1 mijë e 900 euro në muaj, përveç borxhit bazë, duke përfituar kështu shumën prej 26 mijë euro. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme