“Më i çmuar se ari”, Britania huazon pluhur hënor nga Kina

Prishtinë | 09 Maj 2025 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Mbretëria e Bashkuar ka huazuar nga Kina mostrat e para të shkëmbit hënor të sjellë në Tokë.

Sipas The Guardian, kokrrat e vogla të pluhurit janë tani të mbyllura brenda një kasaforte në një strukturë të sigurisë së lartë në Milton Keynes.

Profesori Mahesh Anand është i vetmi shkencëtar në Mbretërinë e Bashkuar që ka arritur të marrë hua këtë material jashtëzakonisht të rrallë, të cilin ai e ka përshkruar si “më të çmuar se pluhuri i arit”.

“Askush në botë nuk kishte qasje në mostrat e Kinës, kështu që ky është një nder i madh dhe një privilegj i madh”, ka thënë profesori. Është bërë e ditur se pas bluarjes dhe shkatërrimit të pluhurit me lazer, ekipi i Prof Anand shpreson të përgjigjet në pyetje themelore rreth asaj se si u formua Hëna dhe rreth viteve të para të planetit Tokë.

Mendohet se brenda kokrrave të pluhurit mund të ketë prova për të mbështetur teorinë e shkencëtarëve se Hëna është krijuar nga mbetjet e hedhura kur Toka kishte goditur një planet me madhësinë e Marsit 4.5 miliardë vjet më parë.

Kujtojmë se Kina arriti të mbledhë këtë material shkëmbor në misionin hapësinor Chang’e 5 në vitin 2020, gjatë uljes në një zonë vullkanike të quajtur Mons Rumker. Gjatë këtij misioni janë mbledhur rreth 2kg material, që u soll në tokë brenda një kapsule.

Kjo ishte edhe marrja e parë e suksesshme e mostrave hënore që nga një mision sovjetik i mbajtur në vitin 1976, duke sjellë kështu Kinën në një pozicion lider në garën e re hapësinore.

Të ngjashme