Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Arsim Syla, avokatit Besnik Berisha, për shkak të mungesës së dëshmitarit Arlind Hyseni, është shtyrë seanca e së hënës në rastin ku Syla akuzohet për vrasjen në “Interex”.
Në këtë rast, Arsim Syla akuzohet për vrasjen e V.B., më 2023 në “Interex” në Podujevë, në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur L.S., raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas planifikimit të kësaj Gjykate nga seanca e 17 prillit 2025, në radhë për dhënien e dëshmisë ishte dëshmitari Arlind Hyseni, për të cilin kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dermaku njoftoi se përmes e-mailit e ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në shqyrtim gjyqësor, me arsyetimin se gjendet jashtë vendit dhe nuk planifikon kthimin përreth një vit.
Ndërsa, lidhur me mungesën e dëshmitarit Hyseni, mbrojtësi i të akuzuarit Syla, avokati Berisha ka kërkuar ndërprerjen e seancës, me arsyetimin se nuk mund të procedohet në administrimin e provave materiale pasi që seanca është publike dhe mund të ndikojë në dëshmi.
Kurse, prokurori Arben Hoti deklaroi se prokurorja e çështjes ka dorëzuar edhe një raport shtesë të Agjencionit të Kosovës për Forenzikë që ka të bëjë me kryerjen e një ekzaminimi balistik, për të cilin kërkoj që të administrohet si provë materiale në këtë procedurë.
Propozimi i prokurorit Hoti u aprovua nga trupi gjykues. Po ashtu, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin e aprovoi kërkesën e avokatit Berisha për shtyerjen e seancës.
Andaj, në mungesë të dëshmitarit Hyseni seanca u ndërpre dhe e radhës do të vazhdojë sipas planifikimit paraprak të kësaj gjykate.
Në fund, gjyqtarja Fatime Dermaku, lidhur me dëshmitarin njoftoj se përmes organeve kompetente do të provohet të sigurohet prezenca e tij.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 mars 2024, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Arsim Syla, pasi që i njëjti me qëllim të hakmarrjes, për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët, gjatë vitit 2022, me tani të ndjerin V.B dhe Sh.R, i pandehuri kishte porositur djalin e tij të mitur L.S, që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V.B.
Tutje, në aktin akuzues thuhet se më 11 shtator 2023 i pandehuri Syla me djalin e tij të mitur L.S, kishin shkuar në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë, ku rreth orës 12:19, kishin vërejtur tani të ndjerin V.B, duke hyrë në market bashkë me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S dhe fëmijën e tyre 4 vjeçar.
Sipas aktakuzës i pandehuri Syla me djalin e tij L.S, dalin nga restauranti, ku Syla e orienton të miturin L.S në drejtim të të ndjerit V.B, i cili vihet në ndjekje të tij, ndërsa i pandehuri Syla vazhdon për të dalë nga objekti dhe në momentin kur i ndjeri V.B bashkë me bashkëshorten e tij L.S dhe fëmijën e tij arrijnë tek sektori i produkteve të qumështit, i mituri L.S i afrohet nga mbrapa dhe fillimisht shtie dy herë në drejtim të të ndjerit V.B.
Aty thuhet se i njëjti duke e qëlluar në shpinë dhe qafë, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B dhe e qëllon edhe të dëmtuaren bashkëshorten e tij, L.S, e cila fillimisht kishte filluar të ikë në momentin kur kishte dëgjuar krismën, ndërsa i mituri L.S nga çanta kishte nxjerrë revolen tjetër me të cilën qëllon edhe katër herë në kokën e tani të ndjerit V.B, i cili tanimë ishte i shtrirë në tokë.
Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma i zjarrit, V.B, vdes në vendin e ngjarjes ndërsa e dëmtuara L.S, dërgohet në QKUK nga plagët e rënda që ka pësuar menjëherë pas të shtënave.
Kurse, i mituri L.S., me shpejtësi kishte dalur nga ‘Interex’ duke u larguar në këmbë në drejtim të panjohur, kurse i pandehuri Syla ishte ofruar tek vetura e tipit ‘Mercedes E200’, të cilën e kishte parkuar përballë ‘Interex’ dhe kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik në Podujevë, ku edhe ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, ishin gjetur dhe sekuestruar, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje, me 62 fishekë të pistoletës si dhe 20 fishekë të pushkës së gjuetisë dhe 2 antiplumba.
Me këtë i pandehuri Arsim Syla ngarkohet se në bashkëkryerje me të miturin L.S, kishte kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.